“11 vite nga aneksimi”, Krimea ‘vendi i shenjtë’ i Rusisë dhe Ukrainës
Mimoza Golikja
Krimea, gadishulli në Evropën Lindore, në bregun verior të Detit të Zi, një sipërfaqe prej 27,000 km2, është pothuajse tërësisht i rrethuar nga Deti i Zi dhe deti më i vogël i Azov. Isthmusi i Perekopit lidh gadishullin me rajonin Kherson në kontinentin e Ukrainës. Në lindje, Ura e Krimesë, e ndërtuar në vitin 2018, shtrihet në ngushticën e Kerçit, duke lidhur gadishullin me Krasnodar Krai në Rusi. Arabat Spit, e vendosur në verilindje, është një rrip i ngushtë toke që ndan lagunat e Syvash nga Deti i Azov.
Përtej Detit të Zi në perëndim shtrihet Rumania dhe në jug është Turqia. Popullsia është 2.4 milionë dhe qyteti më i madh është Sevastopol. Rajoni, i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës, por që ndërkohë është nën pushtimin rus që nga viti 2014.
Kanë kaluar 11 vjet nga aneksimi i Gadishullit të Krimesë nga Rusia dhe pikërisht më 18 mars 201. Aneksimi ishte i shpejtë pa një luftë, si atë që po shohim sot, dhe pa gjak, por që i çoi marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin në një spirale rënëse të paparë që nga Lufta e Ftohtë. Por që aneksimi, hapi rrugën për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, gjatë të cilit Kremlini shtoi oreksin e tij për territor dhe aneksoi më shumë tokë nga Ukraina që po shkatërrohej nga lufta.
Por nga ana tjetër gadishulli në hartë “në formën e një diamanti në Detin e Zi”, është i dëshiruar si nga Rusia ashu edhe Ukraina për bazat, detin dhe plazhet e tij. I quajtur Gadishulli Taurik deri në periudhën e hershme moderne, Krimea ka qenë historikisht në kufirin midis botës klasike dhe stepës. Vendndodhja unike e Krimesë e bën atë një pasuri të rëndësishme strategjike, dhe Rusia tani që e ka, ka shpenzuar shekuj duke luftuar për të.
Krimea ishte vendi i tatarëve, të cilët flisnin turqisht kur perandoria ruse e aneksoi për herë të parë në shekullin e 18-të. Ajo rifitoi shkurtimisht pavarësinë si një republikë tartare dy shekuj më vonë përpara se të rrëmbehej nga Bashkimi Sovjetik.
Në vitin 1944, Josef Stalin dëboi gati 200,000 tartarë, ose rreth një të tretën e popullsisë së Krimesë, në Azinë Qendrore, 3,200 kilometra (2,000 milje) në lindje. Stalini i kishte akuzuar ata për bashkëpunim me Gjermaninë naziste, një pretendim i hedhur poshtë gjerësisht nga historianët. Rreth gjysma e tyre vdiqën në 18 muajt e ardhshëm nga uria dhe kushtet e vështira.
Nikita Hrushovi e transferoi gadishullin nga Rusia në Ukrainë në vitin 1954, kur të dy ishin pjesë e BRSS, për të përkujtuar 300 vjetorin e bashkimit të Moskës dhe Kievit. Në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, gadishulli u bë pjesë e Ukrainës të sapovaruar. E megjithatë, Rusia ishte e pranishme me Flotën e saj të Detit të Zi, kishte një bazë në qytetin e Sevastopolit dhe Krimea, si pjesë e Ukrainës, vazhdoi ta priste atë. Flota sovjetike në Krime ishte në mosmarrëveshje, por traktati i vitit 1997 i lejoi Rusisë të vazhdonte të bazonte flotën e saj në Sevastopol.
Sevastopoli ishte gjithashtu një destinacion i preferuar pushimesh për Nikollën II, carin e fundit rus. Qyteti jugor i Jaltës ishte një destinacion kryesor pushimesh në kohët sovjetike, dhe fitoi famë botërore kur Stalini, Presidenti i SHBA Franklin D. Roosevelt dhe kryeministri britanik Winston Churchill u takuan atje në 1945 për të diskutuar mbi fatin e Gjermanisë dhe Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa për Kievin gjithashtu, Krimea ka qenë një aset strategjik, si territor i Ukrainës për 60 vjet ajo ishte bërë pjesë e identitetit të vendit. Në kohën kur Rusia e aneksoi atë, në vitin 2014 dhe gadishulli u pushtua nga forcat ruse, përsëri shumica e vendeve e njohin Krimenë si territor ukrainas.
Leonid Kravchuk, presidenti i parë i Ukrainës së pavarur, tha se Kievi kishte investuar rreth 100 miliardë dollarë në gadishull midis 1991 dhe 2014 dhe nga pikëpamja e sigurisë, Ukraina ka nevojë për Krimenë në mënyrë që të ketë kontroll mbi aktivitetet në Detin e Zi.
Por në vitin 2014, kryengritja masive popullore në Ukrainë e detyroi presidentin pro-Kremlinit Victor Janukoviç të largohej nga detyra. Historiani ukrainas Volodymyr Holovko vlerëson protestën e 26 shkurtit në mbështetje të integritetit të Ukrainës në Simferopol me 12,000 njerëz, të kundërshtuar nga disa mijëra protestues pro-rusë. Në këtë situatë Putin u përgjigj shpejt dhe më 27 shkurt, forcat ruse pushtuan ndërtesat e parlamentit dhe qeverisë dhe pika të tjera strategjike në Krime dhe, Republika e Krimesë e organizuar nga Rusia shpalli pavarësinë nga Ukraina pas një referendumi të paligjshëm dhe të panjohur ndërkombëtarisht. Rusia më pas aneksoi Krimenë, megjithëse shumica e vendeve (100 vota pro, 11 kundër, 58 abstenime) vazhduan ta njohin Krimenë si pjesë të Ukrainës.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia u njoh në arenën ndërkombëtare vetëm nga vende si Koreja e Veriut dhe Sudani, dhe në Rusi, aneksimi shkaktoi një valë patriotizmi me thirrjen “Krimea është e jona!”.
Ndërkohë kjo lëvizje e rriti popullaritetin e Putinit. Sondazhet për vlerësimin e tij që kishin rënë në 65% në janar 2014, treguan rritje në 86% në qershor, sipas Levada Center, një anketues i pavarur rus dhe që nga pushtimi i vitit 2014, propaganda e Kremlinit ka promovuar mitin e Krimesë si “tokë historikisht ruse”.
Putin e ka quajtur Krimenë “një vend të shenjtë” dhe ka ndjekur penalisht ata që argumentojnë publikisht se është pjesë e Ukrainës. Represionet kundër tatarëve të Krimesë vazhduan nën pushtimin e Putin, pavarësisht mohimeve të diskriminimit nga Moska. Ata kundërshtuan fuqishëm aneksimin dhe rreth 30,000 prej tyre u larguan nga gadishulli midis 2014 dhe 2021.
E ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nga ana e tij u zotua ta rimarrë Krimenë dhe tha se Rusia “nuk do të jetë në gjendje të vjedhë” gadishullin, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin ranë në nivele të reja më të ulëta. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera vendosën sanksione ndaj Moskës dhe zyrtarëve të saj, por pa dobi.
Për ukrainasit, lufta për t’i dhënë fund pushtimit rus të Krimesë nuk ishte vetëm një çështje e sovranitetit, të drejtave të njeriut ose sigurisë kombëtare. Ishte gjithashtu një kërkim për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe për të rivendosur drejtësinë historike. Javë pas aneksimit, luftimet shpërthyen në Ukrainën lindore midis milicive pro-Kremlinit dhe forcave të Kievit. Moska bëri përgjegjës kryengritësit edhe pse Kremlini mohoi t’i mbështeste ata me trupa dhe armë. Kishte prova të shumta për të kundërtën, duke përfshirë konstatimin e një gjykate holandeze se një sistem i mbrojtjes ajrore i furnizuar nga Rusia rrëzoi një avion pasagjerësh të Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore në korrik 2014, duke vrarë të gjithë 298 personat në bord.
Ndërsa edhe pse Kremlini vendoste armatimet dhe teknikën në kufirin Lindor me Ukrainën, pati linjat e ashpra ruse madje që kritikuan Putinin për dështimin për të kapur të gjithë Ukrainën atë vit, duke argumentuar se ishte lehtësisht e mundur në një kohë kur qeveria në Kiev ishte në rrëmujë dhe ushtria e saj në rrënim. Luftimet në Ukrainën lindore vazhduan, pa pushim, deri në shkurt të vitit 2022, kur Putini njohu dy rajonet ukrainase të shkatërruara nga lufta, Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura dhe disa ditë më vonë nisi një pushtim të plotë të Ukrainës.
Roli i Krimesë në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe disa nga gjetjet në terren
Në sulmin e saj ndaj Ukrainës, Moska vendosi trupa dhe armë në Krime, duke lejuar forcat ruse të kapnin shpejt pjesë të mëdha të Ukrainës jugore në javët e para të luftës.
Një zyrtar i lartë ushtarak rus tha më vonë se sigurimi i një korridori tokësor drejt Krimesë duke mbajtur pjesët e pushtuara të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson ishte ndër qëllimet kryesore të asaj që Kremlini këmbënguli ta quante “operacion ushtarak special” në Ukrainë.
Para pushtimit, Zelenskyy u përqendrua në përpjekjet diplomatike për të rikthyer Krimenë, por pasi trupat ruse kaluan përtej kufirit, Kievi filloi publikisht të mendonte për rimarrjen e gadishullit me forcë.
Gadishulli shpejt u shndërrua në një fushë beteje, me Ukrainën që nisi sulme me dronë dhe e bombardoi atë në përpjekje për të hequr kontrollin e Moskës në territor.
Sulmet kishin në shënjestër flotën ruse të Detit të Zi atje, si dhe depot e municioneve, fushat ajrore dhe pasurinë e çmuar të Putinit, Urën e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë, e cila u godit në tetor 2022 dhe përsëri në korrik 2023.
Rusia nisi pushtimin e plotë dhe të paprovokuar ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022 duke shkaktuar konfliktin më të madh ushtarak në Evropë dhe që nga ajo ditë, Evropa nuk është e njëjta. Shpërthimi i konfliktit Rusi-Ukrainë është një ngjarje e paprecedentë për të gjithë kontinentin e Evropës por dhe më gjerë. Përveç numrit tragjik njerëzor të përfshirë, kjo krizë kërcënoi të prishë ekonominë globale, zinxhirët globalë të furnizimit dhe të ripërcaktojë pabarazitë gjeopolitike. Ky konflikt përmbysi jetët e miliona njerëzve duke sulmuar qytetet në veri, në lindje dhe në jug të vendit duke shkaktuar shkatërrim dhe dhimbje. Miliona njerëz u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të ikin drejt Ukrainës perëndimore dhe vendeve fqinje. Por pushtimi rus ka shkaktuar dhjetra mijëra civilë të vrarë dhe një krizë të madhe humanitare. Valë masive refugjatësh në të gjithë Evropë dhe nevojën për ndihmë humanitare, financiare dhe psikologjike, në zonat dhe qytetet e sapoçliruara, si Kherson apo Lyman. Lufta ndërpreu për muaj eksportet e grurit të Ukrainës në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, shkatëroi shtëpi në të gjithë vendin, shkatëroi sistemet e ujit të cilat shpesh janë të lidhura ngushtë me sistemet e ngrohjes, apo furnizimet me energji elektrike.
Që nga data 24 shkurt 2022, miliona njerëz kapërcyen kufirin me Poloninë dhe u vendosën atje ku janë të regjistruar sot në Poloni, si refugjatë që sipas sondazheve, tre të katërtat e tyre dëshirojnë të kthehen në shtëpi. Të tjerë u kthyen ose u larguan nga Polonia nëpër Europë. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, menjëherë në një nga paraqitjet e tij të fundit “politike”, kur foli nga podiumi i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, lutje dramatike për ndihmë, duke besuar se Rusia do të sulmonte vendin e tij “në çdo moment”. E teksa Zelensky fliste, në hyrje të Konferencës ishte vendosur një poster i madh me një burrë të vdekur, të shtrirë në tokë ku shkruhej “Ukraina je ti”. E që atëherë gjërat kanë ndryshuar aq shumë sa nuk është e lehtë t’i krahasosh.
Ajo çfarë erdhi pas agresionit rus të 24 shkurtit 2022 në Ukrainë, tregoi se banorët e Mariupolit mbetën pa shtëpi dhe se në të vërtetë, Evropa u zgjua në një botë tjetër, ku rregullat e rendit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë nuk po zbatoheshin më. Në mars 2022, një maternitet në skaj të Ukrainës u bombardua, një grua shtatzënë humbi jetën së bashku me fëmijën e saj të palindur, pastaj të tjerë civilë u shënjestruan dhe humbën jetën. Në prill, absurditeti i luftës arriti kulmin, me brutalitetin e zbuluar në qytetin Butsa, afër Kievit. Forcat ruse tashmë po linin qindra civilë të vdekur nëpër rrugë. Shenjat e torturës ishin prezent. Butsa u bë simbol i agresionit rus, tronditje dhe thirrje për Perëndimin për të vepruar. Por rusët s’u ndalën. Vetëm disa ditë më vonë, ata do të bombardonin një stacion treni në Kramatorsk, në Ukrainën lindore, ku civilët po prisnin të evakuoheshi dhe të paktën 60 njerëz u vranë. OKB tha se ky ishte “krim i qartë kundër njerëzimit”.
Koha ecte e dhuna shtohej. Në gusht dhe shtator, të dy palët ndërluftuese fajësuan njëra-tjetrën për bombardimin e një reaktori bërthamor në Zaporizhia, në juglindje të vendit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike mori akses në zonën e kontrollit të reaktorit vetëm në janar. E përsëri shtator, në Izium, në Ukrainën lindore, u gjet në pyll një varr masiv me më shumë se 400 trupa, kryesisht civilë. E ndërsa Kremlini nxiti një mobilizim të pjesshëm të rezervave, në tetor, një shpërthim shembi, një pjese të urës 19 km e gjatë që lidh Rusinë me Krimenë. Një muaj më vonë, forcat ukrainase rimorën Khersonin, në jug. “Ne po kthehemi, ngrini flamujt tuaj!”, iu tha presidenti Zelenskiy qytetarëve të tij.
E megjithatë sot ndoshta ende zhvillohen beteja të tjera të përgjakshme, goditet nga toka dhe nga ajri. E në fakt Rusia është ajo që ka përmbysur gjithçka rreth Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Ligjit Ndërkombëtar. Vrau civilët, gratë u përdhunuan, fëmijët u rrëmbyen, të burgosurit u torturuan dhe qytete të tëra u bombarduan që nga harta.
Por ajo çfarë ishte dhe mbetet e rëndësishme gjatë gjithë viteve të tmerrit të luftës, udhëheqja politike e Ukrainës nuk u ndal kurrë së kërkuari ndihmë ushtarake nga Perëndimi. Herë e dëshpëruar, herë kërkuese, madje disa herë edhe shantazhuese. “Ukraina ka nevojë për vetëm 1% të avionëve dhe tankeve të NATO-s. Ne jemi duke pritur për kaq shumë ditë. Kush është shefi në komunitetin euroatlantik? Moska është? Këto nuk janë gjeste fisnike për të cilat ne duhet të përkulemi, por për kontributin tuaj në sigurinë e Evropës dhe botës”, tha atëherë presidenti ukrainas. Mesazhi i tij ka qënë gjithmonë i njëjtë se kjo “nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e Ukrainës, por ka të bëjë me lirinë e Evropës” dhe spiralja e luftës vazhdon.
Fraksion.com