AktualitetTë fundit

Tërhoqi me makinë efektivin e policisë dhe më pas e sulmoi, përfundon në pranga i riu në Tiranë

Një incident i pazakontë ka ndodhur në kryeqytet, ku një drejtues automjeti ka kundërshtuar dhe sulmuar një efektiv të Policisë Rrugore, ndërsa ky i fundit po ushtronte detyrën.

Ngjarja ndodhi më 18 mars 2025, pranë rrethrrotullimit të Unazës së Re, në rrugën “Sotir Caci”. Punonjësi i Policisë Rrugore i ka bërë shenjë ndalimi një automjeti, pas vërejtjes së lëvizjeve të pakontrolluara në rrugë. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit, por ka vijuar lëvizjen, duke tërhequr me automjet efektivin e policisë për disa metra, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij.

Pas ndjekjes nga efektivi i policisë, automjeti është ndaluar, por drejtuesi ka refuzuar të paraqesë dokumentet dhe më pas ka goditur fizikisht punonjësin e policisë, duke i shkaktuar dëmtime.

Në përfundim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin F.K., 31 vjeç, banues në Tiranë. Materialet për këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të ndjekë procedurat ligjore për veprën penale të kundërshtimit dhe dhunës ndaj punonjësit të Policisë.

 

Fraksion.com