AktualitetPolitikëTë fundit

“Shqipëria në moment historik”, Rama: Një shumicë e fortë për PS, konsolidon mesazhin me BE-në

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi sot se forca politike që ai drejton, është ajo që do të mund të çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit me strukturat e PS-së në Elbasan për të prezantuar kandidatët e kësaj force politike në zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se nuk e kishte votuar kurrë PD-në edhe pse ishte ndër të parët që u fut në folenë e saj, kur kjo parti u krijua.

“Nuk ka këtu demokratë e socialistë. Këtu është momenti në histori, ku PS është forca e duhur. Mund të kishte qëlluar Partia Demokratike, siç qëlloi atëherë. Unë nuk e votova se e dija. Një ditë jam futur vetëm në atë fole, ditën që u shpall në “Qytetin Studenti”. 40 minuta më mjaftuan. Ja ndjeva erën e ika”, u shpreh Rama.

Por sipas tij, ishte momenti i duhur për të ndryshuar sistemin.

“Ishte partia që qëlloi në kohën e duhur dhe vendin e duhur dhe nuk kishin ku shkonin shqiptarët veçse t’i jepnin votën për të ndryshuar sistemin”, tha ai.

Rama u shpreh se për Shqipërinë është sërish një moment historik dhe se PS-së i duhet një shumicë e fortë.

“Jo për vete, por për të konsoliduar mesazhin me BE-në. Dhe prandaj dhe mesazhi ynë i “Shqipërisë 2030” lidhet me BE”, u shpreh ai.

Rama komentoi edhe akuzat e ngritura nga PD për patronazhistët.

Sipas tij, patronazhistët e PS-së nuk janë asgjë krahasuar me ata të BE-së që i rrinë qeverisë nga pas duke kërkuar llogari të përjavshme për ecurinë e procesit të integrimit.

Ndaj ritheksoi ai, vota më 11 maj është për Shqipërinë në Europë.

 

Fraksion.com