“Po vjen 11 maji”, Rama: Ne u themi shqiptarëve që opozita kërkon të shkrijë SPAK-un!
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i PS-së ritheksoi sot mbështetjen për Drejtësinë, teksa vuri në dukje se PS i dorëzoi “shpatën”, por ka ende “peshoren” të pabalancuar dhe “sytë“ të hapur.
“Sot për herë të parë që kur u ndamë nga Perandoria Otomane kemi një situatë ku barazia para ligjit duket mundësi reale”, nënvizoi Rama.
Për herë të parë, shtoi ai, populli shqiptar sheh njerëz të lidhur me pushtetin politik para drejtësisë.
Ai deklaroi se ishte PS që i dha “shpatën” Drejtësisë, duke risjellë në vëmendje se kreu i SPAK-ut, Altin Dumani ishte edhe më herët prokuror, por nuk thirri kurrë, asnjë ministër për ta hetuar.
“I vranë protestuesit komplet të pafajshëm. “Shpatën” e “Zonjës së Drejtësisë”, nuk e ka pasur drejtësia shqiptare, “peshoren” jo e jo. “Peshoren edhe sot e ka të lëkundur dhe “sytë” e mbyllur nuk i kanë akoma, se shohin. Ama Prokuroria, duke filluar nga SPAK-u, “shpatën” e ka të vetën dhe ky është vetëm vullnet i yni. Dumani ka të gjithë respektin dhe solidaritetin për punën që bën dhe solidaritet për sulmet kafshërore që ka marrë personalisht e familjarisht. Por nuk është çështja e Altinit, por e “shpatës”. Nuk kishte “shpatë” në dorë Altini, e kishte pushteti politik”, tha Rama.
Ai siguroi se PS do të mbështesë institucionet e drejtësisë, teksa vuri në dukje se opozita deklaron se do ta shkrijë SPAK-un.
Rama tha se duhet të garantohen shqiptarët që çfarë ndërtohet sot, nuk do të prishet nesër.
“Po vjen 11 maji dhe ne u themi shqiptarëve që “shpatën” ta ketë Drejtësia. Nga ana tjetër “këneta” i thotë përmes “bufit” se në datë 11 do të çlirojmë TikTok-un dhe do të shkrijmë SPAK-un. Pra nuk është e garantuar”, theksoi kryeministri.
Fraksion.com