AktualitetPolitikëTë fundit

Hasani, takime në Londër: Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi sot një takim në Londër me Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammy, dhe ministrin e Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret e Jashtme, Stephen Doughty.

Në fokus të takimit ishin forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, rritja e vizitave të nivelit të lartë, shkëmbimet parlamentare, mbështetja e vazhdueshme e Mbretërisë së Bashkuar për integrimin evropian të Shqipërisë.

Po ashtu zyrtarët e lartë diskutuan mbi Samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë më 16 maj 2025, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha strategjike si energjia, infrastruktura, turizmi dhe bujqësia.

Hasani informoi se temë e takimit ishte rritja e bashkëpunimit në funksion të sigurisë rajonale.

“Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin shumëpalësh në organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajuam shtimin e investimeve britanike në Shqipëri në sektorë kyç dhe me interes të ndërsjellë”, u shpreh ai.

Hasani pati sot gjithashtu një takim të frytshëm me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce. Takimi u fokusua në forcimin e angazhimit të përbashkët për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Hasani nënvizoi se takimi ishte një mundësi e mirë për të theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh në funksion të stabilitetit në rajon dhe mbështetjes së proceseve të vazhdueshme të integrimit në BE. Këto përpjekje janë thelbësore jo vetëm për të siguruar prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në Ballkan, por gjithashtu ndihmojnë edhe për stabilitet më të gjerë në të gjithë Evropën”.

Përgjatë qëndrimit në Londër, ministri Hasani është takuar gjithashtu edhe me Martin Vickers, anëtar i parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësues të lartë të Kolegjit Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes (The Royal College Defence Studies), si dhe mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Ambasada Shqiptare në Britaninë e Madhe me Fondacionin “Butrinti” ku janë ndarë historitë e suksesit përgjatë 30 viteve të këtij fondacioni në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Fraksion.com