AktualitetBota+Të fundit

Arrestohet kryebashkiaku dhe rreth 100 persona të tjerë, ndër të cilët ka biznesmenë dhe gazetarë

Në Turqi është arrestuar një prej kundërshtarëve më të njohur të Erdoganit – kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu. Ai akuzohet për korrupsion dhe pjesëmarrje në organizata që veprojnë kundër vendit.

Bëhet fjalë për rreth 100 persona të arrestuar, ndër të cilët ka edhe biznesmenë dhe gazetarë. Imamoglu dhe gjashtë persona të tjerë dyshohen edhe për mbështetjen e Partisë Punëtore Kurte (PKK), thuhet në njoftimet e Prokurorisë. PKK në Turqi konsiderohet si organizatë terroriste.

Imamoglu ka publikuar sot në mëngjes një video në platformën X ku thotë se para shtëpisë të tij janë mbledhur qindra policë. “Ne jemi në prag të një tiranie të madhe”, shkroi ai dhe shtoi: Nuk do të dorëzohemi!

Arrestimi në prag të nominimit

Disa stacione televizive raportuan se policia ka hyrë edhe në rezidencën e Imamoglu dhe ka bastisur ndërtesën. Zyra e Guvernatorit të Stambollit ka vendosur që të ndalojë për katër ditë mbajtjen e protestave në Stamboll. Janë ndaluar tubimet dhe janë kufizuar edhe platformat në internet. Pas arrestimit të Imamoglu, organizata monitoruese e internetit NetBlocks raportoi se qasja në disa platforma online në Turqi është kufizuar. Këto përfshijnë X, YouTube, Instagram dhe TikTok.

Opozitai përshkruan këto veprime si “përpjekje për grusht shteti”. CHP është partia më e madhe opozitare në Turqi. Ajo kumtoi se qëllimi i arrestimeve është të pengojë popullin që të zgjedhë vetë presidentin e ardhshëm. Krerët e partisë i kanë bërë thirrje 1.7 milionë anëtarëve të partisë që të marrin pjesë në zgjedhjet e brendshme të kandidatëve kryesorë të CHP për president, pavarësisht arrestimit. Zgjedhjet e ardshme janë planifikuar të mbahen në vitin 2028, por vëzhguesit presin zgjedhje të parakohshme.

Anulimi i diplomës universitare

Mundësia e veprimeve ndaj Imamoglut është paralajmëruar edhe më parë. Dje u bë e ditur se Universiteti i Stambollit i ka anuluar Imamoglut diplomën universitare. Diploma universitare është një parakusht për të kandiduar për president. Arsyeja e anulimit thuhet të jetë një ndryshim i paligjshëm në universitet. Televizioni TRT njofton se me këtë shpjegim u janë hequr diplomat akademike edhe 27 personave të tjerë.

Revokimi i diplomës së Imamoglut nuk ka pasoja për të drejtën e tij që të ushtrojë mandatin e kryetarit të bashkisë. Imamoglu deklaroi se ai do të ankohet ndaj këtij vendimi në gjykatë, por ai ka humbur besimin në gjykime të drejta. Imamoglu mund të përballet edhe me dënime me burg dhe ndalime për disa raste të tjera.

Avokati i tij Kemal Polat i tha agjencisë së lajmeve dpa përpara arrestimit të sotëm se Imamoglu mund të kandidonte si kandidat presidencial vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha rrugët ligjore kundër vendimit./DW

 

Fraksion.com