AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: PD, alternativa për një ekonomi më të hapur dhe pensione më të larta

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, ku thekson angazhimin e diasporës shqiptare për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas Tabakut, grupe të organizuara në Itali, Greqi, SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar po punojnë intensivisht për të mbështetur Partinë Demokratike dhe për të sjellë ndryshimin që Shqipëria ka nevojë.

“Kam pasur dhjetëra takime me shqiptarët e diasporës, të cilët ndajnë të njëjtin shqetësim: ekonominë e rrënuar, pensionet e ulëta dhe mungesën e meritokracisë”, u shpreh Tabaku në mesazhin e saj.

Ajo theksoi se shumë shqiptarë të larguar i përkasin shtresës së mesme dhe janë detyruar të emigrojnë për shkak të një sistemi që ka kapur ekonominë dhe nuk u jep mundësi qytetarëve të ndershëm të ecin përpara.

Deputetja demokrate vuri theksin te rëndësia e zgjedhjeve të 11 majit si një mundësi për ndryshim. Tabaku u shpreh se diaspora është e vendosur të votojë për alternativën e PD-së, e cila premton një ekonomi më të hapur, pensione më të larta, një minimum jetik prej 200 eurosh dhe pesë vite pa taksa për të gjithë sipërmarrësit e rinj.

“Diaspora do të votojë për alternativën e Partisë Demokratike, për t’i bërë gjërat ndryshe dhe më mirë. Ata kërkojnë një Shqipëri që i mirëpret dhe u krijon mundësi për t’u kthyer, një vend ku të mos jetojnë me kokën këtej, me zemrën këtu dhe me mendjen gjithmonë të lidhur me atdheun”, tha Tabaku.

“Ne duam që shqiptarët të mos jetojnë më me kokën jashtë, me zemrën këtu dhe me mendjen të lidhur gjithmonë me Shqipërinë. Ne duam një Shqipëri që u krijon mundësi të gjithëve, veçanërisht fëmijëve tanë”, përfundoi Tabaku.

 

Fraksion.com