AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Bazën Ajrore të Kuçovës: Aset strategjik i NATO-s falë investimeve në infrastrukturë

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu inspektuan sot Bazën Ajrore të Kuçovës që po kthehet në një aset strategjik të NATO-s, falë investimeve në infrastrukturë, modernizim dhe trajnime.

Modernizimi i Forcës Ajrore, përfshirë edhe flotën e dronëve luftarakë, të cilët tashmë shërbejnë edhe për misione civile, mbetet një prioritet kyç për sigurinë kombëtare.

Ministri Vengu informoi se skuadrilja e dronëve luftarakë është rritur dhe është plotësisht operacionale duke mundësuar fluturimet edhe natën. “Janë të mobilizueshëm dhe totalisht të ndërveprueshëm”, tha Vengu.

“Jemi në fazën e dytë e zhvillimit të Bazës Ajrore të Kuçovës pasi u inaugurua edhe me mbështetjen e NATO-s. Puna ka vijuar për ndërtimin e objekteve të reja. Aktualisht jemi në zonën e fortifikuar të depove të municionit e armatimit, raketave dhe bombave drejtuese të aviacionit ku kemi akomoduar të gjitha municionet dhe bombat drejtuese që kanë ardhur së fundi së bashku me dronët kamikazë në zbatim të marrëveshjes me aleatin turk”, tha Vengu.

Po ashtu, Vengu informoi se sapo kanë përfunduar punimet e Qendrës Stërvitore, e cila është marrë tashmë në dorëzim.

Ndërkohë kryeministri pa nga afër një demonstrim të shkurtër nga misioni që po realizonin sot dronët “Bajraktar” duke kryer monitorimin nga ajri të luginës së Vjosës me kërkesë të Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Kryeministri u informua se përveç patrullimit të kufirit detar apo tokësor, kjo qendër është në dispozicion për çdo detyrë që i ngarkohet nga agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Ndërkohë ministri Vengu informoi se Shkolla e Pilotimit do të vendoset në Vlorë, por duke ditur se baza statike e NATO-s si kjo e Kuçovës nënkupton edhe ardhjen e shumë instruktorëve, pilotëve dhe teknikëve të aviacionit, qoftë amerikanë por edhe të aleatëve të tjerë, ishte e nevojshme të kishim edhe një qendër si kjo me klasa, laboratorë dhe akomodim.

“Baza taktike e Kuçovës ka një personel prej 350 personash ndaj ne po rehabilitojmë edhe ish-Shtëpinë e Oficerëve në Kuçovë në mënyrë që të akomodohet gjithë personeli dhe familjarët”, shtoi ai.

Fraksion.com