Linda Rama në homazhet për babanë e Thaçit: Nuk më mbajti dot vendi atje në Tiranë, desha të jem këtu sot!
Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama mori pjesë në homazhet në nder të Haxhi Thaçit, babait të ish- presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ajo mori pjesë në ceremoninë mortore së bashku me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministrin Taulant Balla, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi.
Dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu, me të gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra.
E di edhe më mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër e një udhëheqësi, aty ku fryjnë dhe nuk pushojnë një çast të gjitha erërat. E përjetoj çdo ditë.
Por çka nuk di dot fare në këtë ditë kaq të trishtuar është se ç’do të thotë të kesh fëmijën me pushkë në dorë, duke luftuar nëpër male, apo rob të atdhedashurisë së vet diku larg, në një vend pa qiell, e për askush nuk e di se sa kohë. Duhet të jetë një ankth i pambarimtë.
Ndaj nuk më mbajti dot vendi atje në Tiranë, po desha të jem këtu sot, pranë nënës dhe gruas së Hashimit. Nënës dhe bashkëshortes së komandantit, siç i thërrasim gjithnjë edhe ne në shtëpi, i cili në këtë ditë ndarjeje të dhimbshme duhet të vijojë të jetë larg, në luftë.
Nuk besoj se një mungesë mund të jetë dot kaq herë më e madhe se sa prania, në një ditë si kjo. E prandaj ajo rrezaton shumë përtej këtyre mureve, si një këmbanë kujtese për dhimbjet e dhjetëra mijëra prindërve e grave të kësaj toke, po edhe për sakrificën e krejt popullit të Kosovës për ta paguar çmimin e lartë të lirisë. Të qoftë i lehtë dheu baca Haxhi!”, tha Linda Rama.
Fraksion.com