AktualitetPolitikëTë fundit

“24 orë ujë të pijshëm”, Rama: Brenda mandatit të katërt përfundojnë kantieret e mbetura

Kryeministri Edi Rama, përmes një komunikimi live në rrjetet sociale, iu përgjigj sot pyetjeve të komentuesve mbi problematika të ndryshme të aktualitetit, ndërsa u ndal te transformimi që ka ndodhur me furnizimin me ujin e pijshëm në Shqipëri.

Ndërsa pranoi se ka ende shumë për të bërë, Rama kujtoi se kur PS mori detyrën Shqipëria kishte gjithsej 4 zona urbane me 24 orë ujë.

Ndërkohë, Rama theksoi se “tani ka 43 zona urbane dhe 98 zona rurale me 24 orë ujë të pijshëm”.

“Ju duken shumë juve 3 mandate? Sa janë, 12 vjet? Po si nuk u bënë në 120 vjet atëherë, ku ishin”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi po ashtu se “sot që flasim janë në punë 11 kantiere të tjera për ujin e pijshëm, dhe një bllok tjetër është gati”.

“Brenda mandatit të katër mbyllet edhe kjo punë që nuk u hap për mbi 100 vite. Edhe në kohën e komunizmit nuk kishte ujë 24 orë përveçse në disa pika. Në Vlorë, në Skelë nuk kishte ujë 24 orë. Ujin e pijshëm në drekë shkonim e mbushnim te çezma e përbashkët e lagjes”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com