Spiropali: Mandatin e katërt të PS-së, për të anëtarësuar Shqipërinë në BE
Bashkëdrejtuesja e Partisë Socialiste për Tiranën, Elisa Spiropali tha sot se në zgjedhjet e 11 majit, sfida jonë historike është mandati i katërt i PS-së, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në takimin që u zhvillua në Tiranë, me kandidatët e PS për qarkun e Tiranës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ajo vlerësoi punën e deputetëve aktualë, teksa tha se, “PS është një mjet për të transformuar Shqipërinë. Nga 2013 deri më sot kemi bërë ndryshime epokale që nga trefishimi i të ardhurave, rritja e pagave dhe rilindja e infrastrukturës rrugore, arsimore e në çdo drejtim të jetës”.
“Aspirata jonë është që në dy vitet e ardhshme ne mbyllim negociatat dhe brenda kësaj dekade të jemi pjesë e familjes europiane me të gjitha detyrimet dhe përfitimet që ka ky anëtarësim”, tha Spiropali.
Ajo vuri në dukje se, “përbërja e kësaj skuadre, kombinim shumë i mirë i eksperiencës të të gjithë deputetëve të kësaj legjislature, ju e dini se cilët janë deputetët tanë që në këtë legjislaturë kanë bërë një punë fantastike, dhe kanë qenë aty gjithmonë për PS dhe qytetarët shqiptarë për t’iu përgjigjur jo vetëm thirrjes që kanë marrë me votë”.
“Ju jeni në listën e PS as në të hapur dhe as në të mbyllur, sepse aty do të jetë eksperienca dhe kontributi që do të vlerësohet nga qytetarët. Për të rinjtë jam shpresë plotë, që i janë bashkuar PS, dhe për ata që kanë kuptuar se PS është mjet për të transformuar Shqipërinë me Edi Ramën dhe PS”, u shpreh Spiropali.
Ogerta Manastirliu, bashkëdrejtuese e PS për Tiranën, nga ana tjetër theksoi se prej muajit shtator dhe deri tani ka qenë një periudhë intensive takimesh dhe opinionesh për përfaqësinë e garës në qarkun e Tiranës.
Fraksion.com