“Shikoni se çfarë ndodh me ata”, Rama nga Fieri: Lista e kënetës e përgatitur për të qëndruar në opozitë
Nga Fieri ku zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në këtë qark për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së komentoi edhe listën e koalicionit të Partisë Demokratike që e cilësoi listë të përgatitur për të qëndruar në opozitë.
Rama shtoi se kjo listë që do të jetë në opozitë, do të dalë të nesërmen e 12 majit, për të thënë “na i vodhën” zgjedhjet. Kryesocialisti theksoi se nuk kanë arsye demokratët që ta hedhin votën kot, për një grup që funksion si një grup interesi i ngushtë që është përgatitur të rrijë në opozitë.
“Ne nuk kemi bërë primare, primare u thënshin se ata janë kështu si papare, këtu në këtë grup është bërë një vlerësim si asnjëherë më parë i atyre njerëzve që vijnë nga kontributi drejtpërdrejtë në parti ashtu sikundër është bërë vlerësimi i atyre që vijnë komplet jashtë partisë. Ashtu sikundër vijnë nga ana tjetër në Vlorë dhe në Tiranë, kemi njerëz që kanë qenë në pararojë me PD-në. E kanë pasur shumë të thjeshtë se është një proces këtu”, tha Rama.
“Shikoni se çfarë ndodh me ata, ata që fituan i lënë jashtë. Kryetari i partisë në Kavajë del i pari në gjithë qarkun e Tiranës dhe e lënë jashtë pa asnjë problem, në një kuptim po të shikosh listën e kënetës është listë për opozitë. Është bërë për të qenë me një tuf qorrash, shurdhësh dhe kuaka-kuakësh në opozitë. As nuk shohin, as nuk dëgjojnë, vetëm recitojnë, është bërë gati për të qene në opozitë, për të dalë të nesërmen me 12 maj, jo për të çliruar TikTok-un se s’ka çfarë TikTok-u çlirojnë, por për të thënë “na i vodhën”. Për çfarë arsye në botë duhet demokratët ta hedhin votën kot, për një grup që funksion si një grup interesi i ngushtë që është përgatitur të rri në opozitë”, theksoi Rama
Fraksion.com