AktualitetKosovaRajoniTë fundit

REL: Kosova mes “çikërrimave politike” dhe rreziqeve të sigurisë

Derisa Evropa riarmatoset, NATO-ja është në krizë dhe aleancat nën presion, siguria në Kosovë vihet në diskutim. Autoritetet garantojnë stabilitet, por ekspertët paralajmërojnë për cenueshmërinë e saj dhe u bëjnë thirrje udhëheqësve kosovarë që të jenë sa më të pranishëm në tryezat ku diskutohet fati i sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, argumenton se kapacitetet e mbrojtjes dhe sigurisë në vend janë përmirësuar ndjeshëm viteve të fundit.

Ai thekson se investimet në personel, pajisje dhe doktrinë kanë luajtur rol kyç në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e bërë atë më të aftë për të përmbushur detyrat e saj mbrojtëse dhe për t’u përshtatur me sfidat e reja të sigurisë.

Megjithatë, për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, Maqedonci kufizohet në detajet që ndan publikisht dhe përmend vetëm disa prej sistemeve që posedon Kosova.

“Ne e kemi një flotë të dronëve Bayraktar. Përveç tyre, kemi prokuruar edhe sisteme të tjera të fluturakeve pa pilotë – që nuk janë bërë publike – dhe vazhdojmë të prokurojmë, me qëllim që t’i përmbushim jo vetëm nevojat operacionale të FSK-së, por edhe të kemi kapacitete të bollshme për çdo ndryshim situate”, thotë Maqedonci për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, që nga përfundimi i luftës më 1999, mbështetet kryesisht në forcën paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.

Në vitin 2018, Forca e saj e Sigurisë ka nisur procesin 10-vjeçar të transformimit në ushtri me kapacitete të plota.

Ministri Maqedonci thotë se këtë vit pritet të nisë faza e tretë dhe e fundit e tranzicionit dhe thekson se disa objektiva të parapara të arriheshin në vitin 2028, tashmë janë realizuar.

Këtu, ai përmend sasinë e mjaftueshme të municionit, si dhe përparimet në rekrutimin e personelit.

“Tanimë e kemi kaluar numrin prej 4.000 [ushtarësh]. Besoj se është mbi 4.300 apo 4.400. Në këtë aspekt, jemi më herët në kohë – pra i kemi realizuar objektivat më herët seç ka qenë e paraparë. Unë besoj se deri në vitin e ardhshëm do t’i kemi 5.000 [ushtarë]”, shprehet Maqedonci.

Deri në fund të transformimit, Forca e Sigurisë së Kosovës pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë – prej tyre 5.000 aktivë dhe të tjerët rezervistë.

Nga fillimi i tranzicionit, procesi e ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por jo edhe të NATO-s, e cila ka këmbëngulur se FSK-ja duhet t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Këtë qëndrim e përsëriti këtë javë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Kosovë.

“FSK-ja duhet të ketë gjithçka që i duhet për të qenë efektive në kryerjen e rolit të saj humanitar këtu në Kosovë. Ky është mandati që NATO-ja ka për ta ndihmuar FSK-në – pra të zhvillohet dhe të jetë forcë humanitare në këtë vend, kur ndodhin çështje humanitare. Ky është mandati dhe për këtë punojmë çdo ditë”, tha Rutte.

Në përgjigje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se mungesa e njohjes së Kosovës nga katër vende të NATO-s, e komplikon avancimin e raporteve mes FSK-së dhe aleancës, por theksoi se FSK-ja, në përputhje me ligjet në fuqi, ka mandat të plotë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Përveç kësaj, ne kemi gjetur edhe mënyra të tjera për ta avancuar rolin e FSK-së dhe kontributin e saj për paqe dhe siguri në vende të tjera, nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit që i kemi me shtetet anëtare [të NATO-s] veç e veç”, tha Osmani.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë vende anëtare të NATO-s; Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe kësaj kornize, për shkak të mosnjohjes nga katër vende anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Për rrjedhojë, ajo detyrohet të mbështetet në marrëveshje dypalëshe, sidomos me aleatë si SHBA-ja dhe Turqia.

Përtej kufirit, Serbia – e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka pretendime territoriale ndaj saj – vazhdon ta forcojë ushtrinë me armë, si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.

Kosova e konsideron atë si kërcënim kryesor për sigurinë e saj dhe ka pasur disa raste, viteve të fundit, kur ky fqinj ka grumbulluar trupa në kufi.

Për të shmangur keqkuptimet dhe përshkallëzimin e tensioneve, Katarina Gjokiq, nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm, thotë se dy vendet, përveçse duhet të përmirësojnë komunikimin, duhet ta rrisin edhe transparencën për kapacitetet ushtarake që posedojnë.

“Do të ishte mirë sikur të kishte një ndërmjetës të gatshëm për t’u angazhuar. KFOR-i ka pozicion të mirë – nuk është në mandatin e tij, por është i pranishëm. Pastaj, Bashkimi Evropian e ndërmjetëson një dialog mes Kosovës dhe Serbisë – edhe pse ka ngecur, ai mbetet i përfshirë. Pra, ka hapësirë për kreativitet kur bëhet fjalë për diplomacinë”, thotë Gjokiq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Për disa ekspertë të sigurisë, gjasat e një sulmi ushtarak konvencional ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës janë të ulëta, kryesisht për shkak të pranisë së KFOR-it.

Por, me luftën e vazhdueshme në Ukrainë, jostabilitetin në Lindjen e Mesme dhe ndryshimin e peizazhit të sigurisë globale, ata thonë se Kosova, me doemos, duhet t’i rrisë përpjekjet për transformimin sa më të shpejtë të FSK-së në një ushtri plotësisht operacionale.

Adrian Shtuni, nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thotë se kjo nuk është më vetëm një çështje politike, por “një domosdoshmëri urgjente”.

“Në këtë moment, Evropa është duke u armatosur si kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Kjo nuk është duke u bërë nga dëshira, por nga nevoja, për shkak të kërcënimeve që vijnë nga Lindja, konkretisht nga Rusia. Dhe, Ballkani është në Evropë, përkatësisht në juglindje – pra më afër vendit prej nga vijnë kërcënimet”, thotë Shtuni për Exposenë.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, raportohet se është duke konsideruar ripozicionimin e trupave të saj në Evropë. Në të njëjtën kohë është duke shtuar edhe trysninë mbi aleatët evropianë, për t’i rritur shpenzimet ushtarake dhe për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.

Shtuni thotë se kjo thirrje vlen edhe për Kosovën si shtet evropian.

“Duhet të bëhet shumë sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri. Jemi në kohë tranzicioni, shumë të vështirë, me shumë sfida, që kërkon rritjen e kapaciteteve mbrojtëse edhe nga vendet që kanë strukturë ushtrie prej dekadash apo qindra vitesh, e imagjinojeni se çfarë mund t’i duhet Kosovës”, thotë Shtuni.

Buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë ka shkuar duke u rritur nga 67.3 milionë euro në vitin 2021, në 207.8 milionë euro këtë vit.

Ministri i Mbrojtjes, Maqedonci, thotë se, në vazhdën e ndryshimeve të fundit gjeopolitike, për katër vjetët e ardhshëm, parashikohet një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh për mbrojtjen.

Por, Shtuni shton se përballë një politike më të izoluar amerikane, Kosova duhet t’i diversifikojë edhe partneritetet e saj të sigurisë.

Ai përmend planin e Bashkimit Evropian për të shpenzuar 800 miliardë euro në mbrojtje dhe thotë se Kosova duhet të pozicionohet në mënyrë strategjike për të përfituar nga këto fonde dhe për të qenë e pranishme në tryezat ku diskutohet fati i sigurisë.

Eksperti i sigurisë shprehet i indinjuar me faktin që, edhe më shumë se një muaj pas zgjedhjeve, Kosova vazhdon të mbetet e zhytur në debatet për vota.

Në kohën kur shumëçka është duke u riformatuar në politikën e jashtme, në politikën e mbrojtjes dhe në rendin global, udhëheqësit kosovarë merren me “çikërrima të politikës së brendshme”, sipas tij.

“Mendoj se kjo është papërgjegjshmëri. Kosova nuk e ka luksin që të zvogëlohet, duhet të zmadhohet, të jetë e pranishme, jo vetëm me fjalime, por në mënyrë aktive, në mënyrë insistuese, strategjike, me partnerë, për të shpjeguar se përse një Kosovë e fortë, më mirë e mbrojtur, më mirë e armatosur, është në të mirën e sigurisë së Evropës. Sepse, jo vetëm që do të arrinte aftësinë për vetëmbrojtje, por do t’i lironte edhe kapacitetet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, që janë aktualisht në Kosovë”, thotë Shtuni.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Departamentin amerikan të Shtetit, edhe atë të Mbrojtjes se si do të vazhdojë administrata Trump ta mbështesë transformimin e FSK-së në ushtri, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje.

Të mërkurën e 12 marsit, Qeveria e Kosovës miratoi në parim lidhjen e një marrëveshjeje me SHBA-në për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Për ministrin Maqedonci, kjo do të thotë se SHBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në ngritjen e kapaciteteve strategjike ushtarake.

Nga ky vend, Kosova pret edhe sistemet kundërajrore Javelin – të njohura për aftësinë e tyre për të avancuar kundër mjeteve të blinduara.

Maqedonci thotë se, aktualisht, është duke u bërë pagesa e tyre, por nuk specifikon se kur do të arrijnë në Kosovë. Kërkesën për blerjen e mbi 200 kundërajrorëve të tillë, Kosova e ka bërë më 2024.

Po atë vit, Kosova ka bërë një marrëveshje edhe me Turqinë për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve të kalibrave të ndryshëm.

Maqedonci i ka thënë Radios Evropa e Lirë në fund të vitit të kaluar se Kosova, në katër vjet, ka shpenzuar mbi 269 milionë euro për blerje të armatimit.

E, për Shtunin, çdo moment që ka sfida, ofron edhe mundësi, që udhëheqësit e zgjuar duhet t’i shfrytëzojnë në favor të popullit të tyre. Me fjalët e tij, “gjërat më të mira ndonjëherë vijnë kur je i vendosur me shpatulla për mur, sepse rrethanat janë të atilla që duhet të dalësh me zgjidhje”.

 

Fraksion.com