AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Rekrutimi i mësuesve sipas meritës, hoqëm pasigurinë për vendin e punës

Kryeministri, Edi Rama deklaroi sot në një takim me mësuesit e qytetit të Lushnjës se “nuk kemi më shqetësimin e jashtëzakonshëm të pasigurisë së mësuesve në punë”.

Në fjalën e tij Rama tha se “ky takim nuk është një takim që siç ndodh shpesh të vjen mirë sepse vigjilja elektorale të krijon mundësinë të takosh shumë njerëz, por është vazhdimësi e një procesi që mua më duket se ishte dje. Vetëm pak muaj kanë kaluar, por më duket sikur ishte dje. Më vjen shumë mirë që po ashtu ne sot mund të diskutojmë për arsimin, sfidat, shqetësimet, por një pjesë të rëndësishme të shqetësimeve që kishim nuk i kemi më. Ndërkohë që patjetër shqetësime të tjera kanë lindur nuk kemi më shqetësimin e jashtëzakonshëm të pasigurisë së mësuesve në punë”.

“Ishte plotësisht e pasigurt të punoje në arsimin publik dhe të mund të mendoje qetësisht për të nesërmen sepse e nesërmja mund të sillte heqjen nga puna ose hedhjen si top në një vend tjetër. Shpesh herë për të të hequr pa të hequr për të detyruar që të ikësh në pamundësi për të shkuar në atë vendin tjetër”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “më e keqja fare ishte që heqjet bëheshin në mënyrë arbitrare, politike ose interesash për t’i hapur vendin dikujt tjetër që mund të ishte pa arsimin përkatës”.

Një nga gjërat më të pabesueshme, vijoi Rama, kur ne filluam të merreshim më gjithë ato gropa që gjetëm prania në sistem e afro 500 mësuesve pa arsimin përkatës që paguheshin për t’u dhënë fëmijëve lëndë për të cilat ishin pa shkollë.

“Tjetra ishte trysnia e madhe për t’u angazhuar në mitingje e për tu angazhuar në votime, e për të sjellë provën që kishe votuar në një mënyrë të caktuar se ashtu donte pushteti i kohës. Tani këto nuk janë më. Para disa ditësh ishte 7 marsi dhe pashë në ato raportet që marr për lajmet që një grup mësuesish për 7 marsin kishin qenë së bashku me palën tjetër. U ndjeva shumë mirë të them të drejtën për faktin që as nuk kishin frikë, as nuk i ka thënë kush mos shkoni, as nuk i ka kërkuar llogari kush pse shkuat nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë se është e drejta e çdokujt se mbas kohës së detyrës publike të ketë jetën e vet, bindjen e vet, opinionet e veta. Kjo ishte e pa mendueshme deri jo shumë vite përpara”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “më vjen shumë mirë që keni futur në një ulli komplet tjetër të gjithë rrugën e meritës së mësuesit që nga rekrutimi, i cili bëhet përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, që është kthyer në ligj dhe deri tek rritja në karrierë e mësuesve me ato shkallë që ju keni sipas punës që bëni dhe testimeve, si dhe sipas kohës në detyrë”.

“Patjetër më vjen mirë që kemi zgjidhur njëherë e mirë problemin e teksteve, por kemi ndryshuar kushtet e shkollave. Ka ende shkolla që duhen rindërtuar, por shumica e shkollave sidomos ato që janë qendra urbane ku ka frekuentim më të madh janë si dita me natën me kushtet që ju kishit më parë që ishin të papranueshme për një vend në mes të Evropës”, tha Rama.

Fraksion.com