AktualitetPolitikëTë fundit

“Qeveria i ka dëbuar të rinjtë nga Shqipëria”, Ligji për Rininë, Xhixho: Nuk është gjithëpërfshirës, por zgjatim i patronazhistëve

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka folur sot jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, pas prezantimit të projektligjit për Rininë nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Deputetja Xhixho tha se qeveria ka sjellë për miratim ligjin për rininë, “pasi i ka dëbuar të rinjtë nga Shqipëria, duke mos u dhënë asnjë mundësi për t’u arsimuar e për të pasur një jetë dinjitoze”.

Dua të ndalem në mënyrë specifike në dy pika, në nenin 5 dhe në nenin 6. Këto dy nene parashikojnë që Këshilli Kombëtar i Rinisë dhe këshillat vendorë të kryesohen përkatësisht nga ministri i Rinise dhe kryetari i bashkisë, të cilët kanë kompetencën për të emëruar anëtarët”, tha Xhixho.

Deputetja e PL-së shtoi në fjalën e saj se këto dy nene në projektligjin për Rininë sjellin probleme në përfaqësimin dhe zgjedhjen e të rinjve që duhet të kenë një rol në shoqërinë shqiptare dhe jo të jenë zgjatim i patronazhistëve, sipas Xhixhos.

“Pra, në vend të një grupimi rinor që ka në fokus adresimin e problemeve të të rinjve dhe përfaqësimin e tyre ë kenë mundësi të zgjidhen, këshillat rinorë kthehen në ekipe si patronazhistët apo aktivistët e bashkisë”, vijoi ajo.

“Ligji përcakton se anëtarët në këshillat rinorë do të bëjnë pjesë vetëm përfaqësues të organizatave rinore, ndërsa pjesa tjetër emërohet me urdhër të ministrit apo kryebashkiakut. Pra nuk garantohet gjithëpërfshirje dhe as garë që garanton përfaqësim real. Me synimin për t’i shërbyer Partisë Socialiste në fushatë, qeveria na sjell sot në Parlament një ligj që u shërben vetëm disa të rinjve, jo të gjithëve. Ky është një ligj që ka efekte preferenciale dhe financiare për t’u dhënë ca të rinjve disa fonde e ca të tjerëve jo. Sepse e tillë ka qenë filozofia qeverisëse përgjatë viteve të fundit: Shqipëria e disave, jo e të gjithëve”, tha Xhixho.

Deputetja e Partisë së Lirisë, u shpreh se nuk do ta votojnë këtë projektligj sepse mund të përdoret si kartë elektorale nga një qeveri që e ka zbrazur Shqipërinë nga të rinjtë, sipas saj.

 

Fraksion.com