AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha mesazh Dumanit: Amnistimi i krimit elektoral, atentati më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Berisha u paraqit i shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj.

Pas dalje, Berisha foli për gazetarët ku lexoi edhe mesazhin që i la kreut të SPAK, Altin Dumanit

“Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe Skapi i partisë është krimi antikushtetues dhe antidemokratik më i madh në historinë e pluralizmit politik. Është atentati më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira”, u shpreh Berisha para gazetarëve.

Gjithashtu, Kreu i PD tha se ministri Manja ka urdhëruar përgjimin në burg të kreut të Bashkisë, Erion Veliaj. “Në qoftë se donin të vinin çimka, të mos i aktivizonin ministra dhe zyrtarë më të lartë, por të shkonin në gjykatë, të merrnin leje në gjykatë siç është rregulli. Erion Veliaj është regjistruar edhe duke folur në telefon fiks, edhe duke fjetur në shtratin e tij, edhe duke u ulur në tavolinë”, tha ai.

Berisha u shpreh se edhe statuset e Veliajt në rrjetet socile janë të redaktuara nga Rama.

Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, kreu i PD, duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri, Jamarbër Malltezi.

Kreu i Partisë Demokratike është nën hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Fraksion.com