AktualitetPolitikëTë fundit

Rama ndan përshtypjet e qytetarëve pas hapjes së tunelit të Murrizit

Tuneli i Murrizit, i konsideruar si vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit është hapur tashmë për qarkullimin e mjeteve.

Pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon, tuneli i Murrizit është tani plotësisht i aksesueshëm duke shkurtuar distancat mes qyteteve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionet e qytetarëve të ndryshëm, të cilët shprehin vlerësimin për këtë investim që i impakton në jetën e përditshme.

“Zëri i qytetarëve, jo vetëm të Dibrës, për Tunelin e Murrizit që na e mori shpirtin derisa e lidhëm krejt si duhej Rrugën e Arbrit”, u shpreh Rama.

Vepër madhështore që shkurton 6 orë rrugë.

Kështu e cilësojnë qytetarët këtë investim, ndërsa shprehen se tashmë ndjehen të lehtësuar.

“Jemi shumë të kënaqur na ka ndihmuar në maksimum”, u shpreh një prej tyre.

“Klosi gjysmë ore lagje e Tiranës, Burreli 50 minuta maksimumi, Peshkopia po ashtu, Bulqiza. Të gjitha mrekulli. Jashtëzakonisht mrekulli i lumtë Edi Ramës, i qoftë hallall. Super investim”, u shprehën ndër të tjera qytetarët.

Një tjetër qytetar e konsideroi tunelin e Murrizit një vepër ndërkombëtare.

“Nuk ndihmon vetëm Dibrën dhe Klosin por ndihmon gjithë Shqipërinë. Unë jam nga Tepelena iki për në Dibër të Madhe, na ndihmon të tërëve. I shërben tregtisë me Maqedoninë e Veriut, është një vepër kolosale që as më ëndërrimtari nuk e imagjinonte”, u shpreh një tjetër.

Hapja e tunelit të Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik për Veriun.

Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por është një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor është rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë së Veriut Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

Fraksion.com