AktualitetRajoniTë fundit

Maqedonia e Veriut shpall shtatë ditë zie pas tragjedisë në Koçan

Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate, kanë bërë të ditur autoritetet maqedonase.

Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.

Mbi 155 persona është raportuar të jenë plagosur – mbi 80 prej tyre janë transferuar në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.

Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.

“Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.

Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë në mbajtje policore.

Toshkovski ka thënë se janë zënë edhe katër personat për të cilët është lëshuar urdhër-arrest.

Ai ka thënë se nëpër spitale ka të vdekur që duhet të identifikohen përmes autopsisë.

“Me këtë rast, dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë tragjedi”, ka thënë ministri.

Në mesin e të vdekurve është edhe një zyrtar policor, i cili ishte pjesë e operacionit për të kryer kontrolle në klube nate dhe biznese hotelerie në disa lokacione të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Sipas autoriteteve, operacioni ishte planifikuar për të kontrolluar trafikimin eventual të drogave ilegale dhe prezencën e të miturve nëpër klube nate.

Në kuadër të veprimeve për këtë rast, autoritetet kompetente janë duke rishikuar dokumentacionin për të kuptuar më shumë për licencën që ka pasur për të operuar ky klub nate.

Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski ka thënë përmes një postimi në Facebook se Qeveria është “plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’u përballur me pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë”.

Ai ka thënë e diela është “ditë e vështirë dhe shumë e rëndë” për shtetin, i cili ka humbur kaq shumë të rinj.

Të plagosurit janë dërguar nëpër spitale të ndryshme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka thënë se të gjitha autoritetet shëndetësore janë mobilizuar edhe disa të plagosur që fillimisht janë dërguar në Shtip, tani janë duke u transportuar në spitalin e Shkupit, Shën Naum Ohridski.

“Po kujdesemi për të gjithë, po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundshme. Nuk do të spekuloja sa janë në gjendje kritike, por do të shkoj te Separtamenti i Kirurgjisë për të marrë informacion të hollësishëm”, ka thënë Taravari.

Ai e ka përmendur se ka biseduar me drejtorin e Departamentit për transfuzion të gjakut dhe që aktualisht nuk ka nevojë për gjak.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq është duke bërë përpiluar listën për të përcaktuar identitetet e të vdekurve.

Reagimet për incidentin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjarëve për incidentin, përmes një postimi në X – dikur Twitter – dhe ka thënë se “humbja e kaq shumë të rinjve është tragjedi përtej fjalëve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është thellësisht i mërzitur nga lajmi për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut.

“U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre, si dhe liderëve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe gjithë shtetit në këtë periudhë të rëndë. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, ka thënë Kurti në X.

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se është thellësisht e mërzitur nga lajmi për tragjedinë.

“Ngushëllime të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. BE-ja ndan dhimbjen me njerëzit e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Kallas në X.

Ambasdorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, ka thënë se është zemërthyer pas lajmit për viktimat.

“Humbja e kaq shume të rinjve në një komunitet është tragjedi e madhe. I kam ofruar ndihmë kryeministrit dhe të gjitha resurset, si dhe lutem për ata që janë në vuajtje sot”, ka thënë Aggeler përmes një postimi në X.

Edhe Ambasada amerikane në Kosovë e ka përshkruar incidentin si tragjik.

Ngushëllime kanë shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuciq, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky./REL

 

Fraksion.com