Joan Pelushi zgjidhet Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare
Hirësi Joan Pelushi u zgjodh sot Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan u bë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës.
Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik.
Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim,” u shpreh Imzot Joani.
Joan Pelushi ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara.
Ai është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”.
Ka studiuar në SHBA falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Fan Nolit.
Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Ai do të pasojë në këtë detyrë të lartë Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në një spital në Athinë.
Në testamentin e tij, Kryepeshkopi Anastas shprehu dëshirën që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të ketë në krye një klerik shqiptar.
Fraksion.com