Vlerësohet se në Beograd po protestojnë 400 -500 mijë njerëz, pushteti atje tha se ishin 107 mijë
Një protestë masive antiqeveritare është duke u zhvilluar në Serbi, e cila është organizuar nga studentët, dhe që e njëjta ka ‘‘bllokuar’’ Beogradin.
Analisti i njohur serb Dushan Janjiq i ka komentuar këto protesta masive antiqeveritare, ku sipas tij, Vuçiq ka marrë paralajmërime nga Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian.
“Vlerësimet joformale thonë se ka 400-500 mijë njerëz në protestat në Beograd”, thotë Dushan Janjiq.
Ndërsa nga ana e institucioneve shtetërore, më saktë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë është thënë se, sipas vlerësimeve policore, në protestat e studentëve në të gjitha lokacionet në Beograd, numri i pjesëmarrësve ka qenë rreth 107 mijë veta, nga të cilët shumica kanë ardhur nga rrethinat.
Sipas mediave serbe, deri tani nuk ka pasur incidente apo shkelje të rendit dhe qetësisë publike.
Njëkohësisht, u bëhet thirrje pjesëmarrësve të tubimit që edhe në orët në vijim të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin e vendit, në frymën e përgjegjësisë qytetare dhe duke respektuar ligjet.
“Prioriteti absolut i pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme është siguria e të gjithë qytetarëve, mbrojtja e rendit dhe qetësisë publike, jetës dhe pronës. Ata do të bëjnë gjithçka, në përputhje me kompetencat e tyre, për ta përmbushur këtë detyrë në nivelin më të lartë,” thuhet në njoftimin e MPB-së se Serbisë.




Fraksion.com