AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Për t’ju dhënë pasaportën e BE-së, na jepni votën për mandatin e katërt

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mund të sigurojmë çdo shqiptari dhe shqiptareje pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030 brenda kësaj dekade.

Në podkastin “Flasim”, me Episodin Ekskluziv, “Parti e re për Shqipërinë në BE”, kryeministri Rama tha se “sa herë që zbresim prej 35 vjetësh në një aeroport në Itali, Gjermani, Greqi apo kudo tjetër në BE na tregojnë me gisht një korridor ku ne shqiptarët duhet të shkojmë të futemi të gjithë në radhë”.

“Ndërkohë që evropianët që zbresin bashkë me ne nga avioni kalojnë në një korridor të tyre pa radhë edhe ikin avullojnë sa hap e mbyll sytë. Ne vërtetë s’kemi viza për të lëvizur në Evropë, por ama s’kemi as të drejtë për të qëndruar në një vend të BE-së”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “prandaj kur arrijmë në kufijtë e BE-së ne jo vetëm na fusin në radhë, por na marrin dhe në pyetje policë, të cilët na e kthejnë mbarë e mbrapsht pasaportën tonë dhe ndërkohë që shohin na pyesin ku po shkon sa lekë ke, me kë je, kush të ka ftuar dhe kur do ikësh nga këtu pa hyrë akoma mirë brenda”.

“Ne mund ta mbyllim përfundimisht këtë histori diskriminimi poshtëruese dhe mos të na ndajë më askush si dele të zeza nga tufa e bashkudhëtarëve tanë evropianë kur hyjmë në një kufi. Të mos i japim më llogari një polici në aeroport se pse po hyj në një vend të BE-së dhe kur do iki. Ne mund të sigurojmë çdo shqiptari dhe shqiptareje pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo pasaportë duhet të ndryshojë dhe në këtë pasaportë duhet të shtohet diçka themelore Bashkimi Evropian Republika e Shqipërisë”.

“Për t’ju dhënë pasaportën e BE-së na duhet jo thjesht një mandat i katërt, por më i fortë se të tre mandatet e deri sotme. Prandaj kush e do pasaportën e  BE-së ka vetëm një mundësi dhe vetëm një rrugë, të bashkohet dhe me votën e bashkuar t’ua japë këtë mundësi që të pajisim çdo shqiptar dhe çdo shqiptare me pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade”, tha Rama.

Pasaporta e evropiane e shqiptarëve, vijoi Rama, nuk është vetëm liri hyrje në çdo kufi të BE-së, nga një korridor pa radhë në aeroport, në çdo port apo doganë tokësore, por është edhe liri qëndrimi në çdo pikë brenda kufijve të BE-së.

“Me pasaportën e BE-së Evropa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Evropa, kjo nuk është retorikë, ky është horizonti ynë më i afërt se kurrë. Me pasaportën e BE-së vajzat e djemtë e Shqipërisë mund të studiojnë në çdo universitet të Evropës me tarifa të njëjta si studentë të barabartë evropianë dhe jo me tarifa ekstra si student të huaj në Evropë”, tha Rama.

Rama vuri në dukje se “me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të mund të punojë pa leje pune kudo qoftë nga Stokholmi në Lisbonë, nga Madridi në Varshavë duke gëzuar të njëjtat të drejta si suedezët në Suedi, si portugezët në Portugali su spanjollët në Spanjë apo si polakët në Poloni dhe duke përfituar njësoj si ata sigurimet e shoqërore dhe shëndetësore në cilindo shtet ku punon brenda perimetrit të BE-së”.

“Me pasaportën e BE-së do të behet shumë  më e lehtë hyrja në shumë vende të BE-së apo punësimi në ato vende me procedura të thjeshtuara për leje qëndrimi dhe leje pune. Me pasaportën evropiane të Shqipërisë shqiptarët do të përfitojnë nga të njëjtat standarde të larta të mbrojtjes së të drejtave individuale në punë dhe para çdo institucioni apo gjykate të çdo vendi të BE-së. Me pasaportën evropiane të Shqipërisë çdo shqiptar e shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë dhe të kandidojë në zgjedhjet lokale ku jeton brenda be dhe parlamentin evropian gjithashtu. Ndërkohë edhe Shqipëria do të jetë pjesë e zgjedhjeve evropiane dhe do të ketë përfaqësuesin e saj në qeverinë e BE-së, komisioner apo komisionere në BE, si dhe plot djem e vajza shqiptare në administratën e Brukselit”, nënvizoi Rama.

E fundit por jo për nga rëndësia, tha Rama, çdo ambasadë e BE-së i vjen në ndihmë kudo ku ndodhet një shqiptar apo shqiptare që zotëron pasaportën e BE-së nëse nuk ka aty pranë një ambasadë shqiptare.

“Ky është horizonti ynë i mandatit të katërt i konkretizuar”, tha Rama.

Frakdion.com