Berisha: ‘Made in Albania’ do ta bëjmë markë të njohur dhe krenarie për shqiptarët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar një program ambicioz për të transformuar Shqipërinë në një qendër prodhimi dhe eksporti të fuqishëm. Duke iu përgjigjur komentuesve, Berisha theksoi se objektivi kryesor i PD-së është të bëjë “Made in Albania” një markë të njohur dhe krenarie për shqiptarët.
Ai garantoi se, për të arritur këtë, do të krijohen zona të lira ekonomike dhe industriale, do të ofrohet kuadri fiskal më i favorshëm në Europë, dhe do të ulet çmimi i energjisë për bizneset deri në tre herë më ulët sesa është aktualisht. Këto masa do të bëjnë Shqipërinë një destinacion tërheqës për investimet në industri të lehta dhe të rënda.
Berisha gjithashtu shpjegoi se PD ka ndërmend të përpunojë më thellë prodhimet minerale shqiptare, duke i shndërruar ato në mallra përfundimtare për eksport, dhe do të tërheqë kompani të mëdha për të investuar në Shqipëri. Ai theksoi se përmes këtij procesi, “Made in Albania” do të bëhet një sinonim i krenarisë shqiptare.
Për të mbështetur këtë program, Berisha kujtoi arritjet e periudhës 2005-2013, kur eksportet u rritën me 320%, dhe investimet e huaja u rritën me 300-400%. Ai e vuri theksin se, përkundër kësaj, prodhimi është në rënie që nga 2020, me një rënie prej 32% të eksporteve nga viti 2023-2024.
Berisha përmbylli fjalën e tij me një moto të qartë: “Made in Albania” do të jetë vetëm prodhim.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Programi ynë ka për objektiv më madhor ‘Made in Albania’ dhe kur e them këtë kam parasysh prodhimin industrial në të gjitha llojet e industrisë, të lehtë, të rëndë etj. Unë ju garantoj se do të bëhet gjithçka që Shqipëria të shndërrohet në një prodhues të fuqishëm, eksportues të fuqishëm.
Krijimi i zonave të lira ekonomike, krijimi i zonave industriale, kuadri fiskal më i favorshmi në Europë, energjia me çmimin më të leversishëm, me një çmim tre herë më të ulët se sa sot për bizneset, janë disa nga kushtet që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës në rajon për të investuar në uzina dhe fabrika, të industrisë së lehtë dhe të rëndë.
Do të bëjmë gjithçka që prodhimet minerale shqiptare, të marrin përpunimin më të thellë se të eksportohen si mallra përfundimtare. Do të bëjmë gjithçka për tërheqjen e kompanive më të mëdha në Shqipëri.
Pra ‘Made in Albania’ e kemi shpallur, do të jetë sinonim i krenarisë shqiptare.
Ku e bazojnë ne këtë premtim?
Ne e bazojmë këtë premtim sepse në vitet 2005-2013, arritëm ndër të tjera, dy arritje shumë të mëdha. Së pari eksportet u rritën me 320%, dhe mandatin e dytë investimet e huaja u rritën me 300-400% përqind. Pra ne krijuam faktikisht të gjitha premisat e Shqipërisë së prodhimit.
Ajo që ne bëmë me aq përkushtim, ajo u zhbë sot dhe keni shumë të drejtë ju. Sot ka tre vite, 6 semestra që prodhimi bie nga viti në vit. Vetëm nga viti 2023-2024 eksportet ranë me 32%.
Pra nëse mund ta sintezonim në një moto ‘Made in Albania’ do të jetë prodhim, prodhim, prodhim.
Fraksion.com