AktualitetTë fundit

Vodhën banesën me qira të tri shtetaseve turke, arrestohen 4 persona. Gjatë kontrollit policia gjen dhe kanabis

Vodhën me dhunë një shumë parash dhe celularë, në një banesë të marrë me qira nga 3 shtetase të huaja, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas.

Në pranga u vu dhe njëra nga shtetaset e huaja pasi posedonte një sasi lënde narkotike kanabis që u gjet në këtë banesë.

Sekuestrohen 3350 euro, lënda narkotike, një armë e ftohtë, automjeti i përdorur gjatë vjedhjes dhe 4 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit për vjedhjen e një shume parash dhe 2 celularëve në një banesë të marrë me qira nga 3 shtetase turke, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Brothers”, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të vjedhjes.

Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit:

-S. Z., 20 vjeç dhe O. Z., 18 vjeç (vëllezër);
Xh. S., 20 vjeç dhe S. S., 18 vjeç (vëllezër).

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me dhunë një shumë parash dhe 2 celularë, në banesën e marrë me qira nga 3 shtetaset turke.

Në vijim të veprimeve u bë dhe arrestimi i shtetases turke M. M., 24 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të banesën e marrë me qira, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetaset e tjera turke, për moskallëzim krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Fraksion.com