AktualitetPolitikëTë fundit

“Në vend të betejës zgjodhi Tikun…”, Berisha ftesë Dashnor Sulës: Ke kohë të mendohesh…

Kryetari i PD Sali Berisha, ka apeluar nga Elbasani për të mos votuar ata kandidatë për deputetë të opozitës që nuk iu bashkuan koalicionit. I pyetur për deputetin Dashnor Sula që dha dorëheqjen nga PD për t’ju bashkuar koalicionit të “Nisma-Shqipëria bëhet” të Adriatik Lapaj, Berisha u përgjigj se ai ka kohë të mendohet sërish.

“Dashnor Sula bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi Tikun dhe iku në punën e tij, ka kohë ta mendojë”, tha Berisha.
“Do t’u them qytetarëve, asnjë votë për patericat e Edi Ramës, sepse ata u ftuan botërisht, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, nëse e ndjeni veten opozitarë, bashkohuni me ne në aleancë.
Mirëpo ata nuk i lejuan problemet e tyre ndaj dhe votat për ta janë vota për Edi Ramën, de facto. Përveç kësaj, ne kemi programin më të shkëlqyer, programin e Shqipërisë Madhështore, një program që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë, por që u garantoj se do jetë realitet i padiskutueshëm.
Tani, të them të vërtetën, kemi edhe kryemagjistarin, bashkëkryestrategun e fitores më të madhe në historinë e njerëzimit, siç ishte rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë me datën 20 janar. Chris LaCivita është një fuqi natyrore elektorale në vetvete”, tha kreu i PD.

Lideri demokrat bëri thirrje gjithashtu se “asnjë votë nuk duhet të shkojë për patericat e Edi Ramës”.

“Të gjitha partitë opozitare u ftuan në koalicion, por ata që nuk pranuan çojnë vota janë për Ramën”, tha kreu i PD.

Berisha:

Qytetarëve të Elbasanit banorëve të këtij rrethi, mbarë shqiptarëve, iu uroj nga zemra këtë festë më të lashtën, më të bukurën e festave, festën e ndërrimit të natyrës, festën e shpresës, e bukurisë, e luleve. Dita e Verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimistë, më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit. Kjo ditë frymëzon çdo shqiptar që me 11 maj të ndahet nga ky regjim që i varfëroi ata gjer në palcë. Dhe unë sot nga Elbasani dua t’u premtoj shqiptarëve kudo që janë se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë, do të nxjerrë çdo shqiptar nga varfëria ekstreme,ata që janë. Do të thotë se do jenë një minimum jetik prej 200 eurosh. Nuk do ketë pensionist që do marrë nën 200 euro, pavarësisht sa e ka sot pensionin dhe pavarësisht nëse ka apo jo pension dhe pavarësisht nëse e ka të plotë apo të pjesshëm.

Pra do bëhet një shpërndarje e re e të ardhurave buxhetore. Do ketë një rritje 20 përqind të pensioneve.
Do ketë një rrogë minimale 25 përqind më të lartë se kjo që është sot, pra do jetë jo më pak se 500 euro.
Do ketë një rrogë mesatare 1200 euro dhe unë zotohem para qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë dhe dua të rikujtoj këtu se për rastësi, premtimet e mia për dyfishimet e rrogave i kam bërë në këtë qytet dhe e kam mbajtur fjalën. Përsëri unë e mbaj fjalën, rrogat do dyfishohen. Dhe nuk do ndalim vrapin tonë gjersa të bëhemi përsëri njerëzit më të paguar në rajon. Kur ne të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon do të thotë se ne gëzojmë të mirat dhe pasuritë që gëzon ky vend dhe i shpërndajmë ato me zemër në dorë, i shpërndajmë me drejtësi, jo duke krijuar një hendek të tmerrshëm midis rrogëlartëve dhe rrogëulëtëve.

Ky hendek është në Shqipëri 2 deri në 2 herë e gjysmë më i thellë se në çdo vend tjetër. Në qoftë se në SHBA, presidenti i vendit merr një rrogë sa 5 rroga mesatare të qytetarëve të atij vendi, në Shqipëri presidenti merr një rrogë sa 10 rroga mesatare të këtij vendi. Ndaj dhe do rrisim rrogat e ulëta dhe rrogat mesatare dhe do arrijmë të ndahemi nga kjo e keqe që po e zbraz Shqipërinë. Shqipërinë po e zbraz varfëria, ndërkohë që nuk ka një vend tjetër më të pasur në pasuri natyrore. Kështu që ftoj ta vazhdojmë së bashku këtë betejë.”, tha Berisha.

 

Fraksion.com