AktualitetBota+Të fundit

Demonstruesit hebrenj, protestë në ‘Trump Tower’

Demonstruesit nga një grup hebre hynë në hollin e ndërtesës ‘Trump Tower’ në Nju Jork të enjten për të protestuar kundër arrestimit të një aktivisti, ish student i Universitetit ‘Columbia’. Aktivisti i arrestuar udhëhoqi protestat studentore në ndërtesën e Universitetit në Manhattan kundër luftës së Izraelit në Gazë.

Protestuesit e organizatës ‘Zëri Hebre për Paqe’, të cilët ishin veshur me bluza të kuqe me mbishkrimin “Hebrenjtë thonë ndaloni armatimin e Izraelit” dhe mbanin pankarta ku shkruhej “Kundërshtimi i fashizmit është një traditë hebraike” dhe “Luftoni nazistët, jo studentët”, brohoritën “Silleni Mahmudin në shtëpi tani”!

Mahmoud Khalil, që ka statusin e banorit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, u arrestua përballë banesës së tij në Nju Jork të shtunën dhe përballet me dëbim. Ai është i martuar me një shtetase amerikane dhe nuk është akuzuar për shkelje të ndonjë ligji.

Presidenti Donald Trump tha se arrestimi i zotit Khalil ishte i pari “nga shumë të tjerë që do të ndodhnin” dhe u zotua në mediat sociale të dëbojë studentët për të cilët tha se përfshihen në “veprimtari pro-terroriste, antisemitike, anti-amerikane”.

Policia, e cila përpara demonstratës gjendej brenda dhe jashtë objektit në rrugën e njohur të Manhattanit “Fifth Avenue”, filloi arrestimin e protestuesve pasi i paralajmëroi ata të largoheshin.

Mes protestuesve ishte edhe aktorja Debra Winger, e cila ka folur mbi besimin dhe shkollimin e saj hebre ndër vite. Zonja Winger akuzoi administratën Trump se “nuk ka interes për sigurinë e hebrenjve”.

Mbështetësit e zotit Khalil thonë se arrestimi i tij është sulm ndaj fjalës së lirë dhe kanë organizuar protesta në Nju Jork dhe në mbarë vendin.

Qindra njerëz demonstruan të mërkurën përballë një gjykate në Manhattan gjatë një seance të shkurtër mbi rastin e tij.

“Trump Tower” shërben si seli për “Organizatën Trump” dhe është vendi ku presidenti qëndron kur është në Nju Jork. Para tij mbahen shpesh tubime, si kundër ashtu edhe në mbështetje të tij, megjithëse protestat brenda objektit janë më pak të zakonshme.

Tridhjetë vjeçari Khalil, mbahet në një qendër paraburgimi imigracioni në Luiziana.

Hapësirat e Universitetit ‘Columbia’ ishin pika qendrore të lëvizjes protestuese pro-palestineze që përfshiu universitetet amerikane vitin e kaluar dhe çoi në më shumë se 2,000 arrestime.

Zoti Khalil, gruaja e të cilit është shtatzënë me fëmijën e tyre të parë, përfundoi studimet për master në ‘Columbia’ në dhjetor. I lindur në Siri, ai është nip i palestinezëve që u detyruan të largoheshin nga atdheu i tyre, thanë avokatët e tij në një dosje që u dorëzua në gjyq./voa

 

Fraksion.com