AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Do të ndërtojmë Unazën e Shqipërisë, urbanizon gjithë periferinë e vendit

Kryetari i Partisë Demokrati Sali Berisha në një konferencë për mediet nga selia blu foli në lidhje me projektet në infrastrukturë që ka PD kur të vijë në pushtet.

Berisha tha se do të ndërtohet brenda mandatit të parë hekurudha Tiranë-Prishtinë.

“Hekurudha Tiranë-Prishtinë është projekti më madhor pas Rrugës së Kombit në infrastrukturën e Shqipërisë, që lidh dy vendet tona, por edhe brigjet shqiptare i bën brigjet më të rëndësishme se të gjithë detërat e tjera. Kjo hekurudhë është një ide e vjetër, që nga Perandoria Otomane e viteve 1880 kur solli hekurudhën në Ferizaj. Kjo hekurudhë ishte një ide e Perandorisë Austro-hungareze. Kjo hekurudhë u rikthye në tryezë në vitet 2005-2013, kjo hekurudhë do ndërtohet gjatë mandatit të ardhshëm”, u shpreh Berisha.

Berisha tha po ashtu se “përparësi absolute do jetë zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës”.

Një tjetër projekt sipas Berishës do të jenë “autostrada Milot-Shkodër, e cila pas Rrugës së Kombit, ka trafikun më të madh në Shqipëri përveç trafikut Tiranë-Durrës”

“Bajpasi i Elbasanit, vepër që do fillojë menjëherë, për të cilën ne kemi gati projektin, që ka 12 vite që fle në sirtar”, tha ai.

Projekt tjetër, tha Berisha, do të jetë ndërtimi i Unazës së Shqipërisë, e cila sipas kryedemokratit urbanizon gjithë periferinë e vendit.

“Në vitet 2005-2007, në zbatim të këtij projekti ne ndërtuam dhe rindërtuam rrugë nga Valbona gjer në segmentin Korçë-Ersekë, të cilin e filluam dhe ndërtuam 18 kilometrat e parë. Kjo unazë do zbriste, do shkonte në Kolonjë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Do rikthehej rruga e bregut, e cila u rindërtua dhe do ndiqte bregun për të dalë në Velipojë dhe për të ecur drejt Hanit të Hotit dhe Vermoshit”, tha Berisha.

Sipas Berishës “në ndarjen e vjetër administrative, kjo unazë bashkonte dy të tretat e komunave të vendit. Kjo unazë, e tëra në zonat malore përveç ultësirës bregdetare, bënte disponibël të gjitha pasuritë e mëdha dhe potencialet turistike, bujqësore, blegtorale, etj, të dy të tretave të Shqipërisë”.

“Ajo bën të mundur që çdo qendër komune në ndarjen e vjetër, të lidhet me akset kombëtare në kohë 20 minuta. Këto janë vetëm disa nga projektet me përparësi të madhe të infrastrukturës në 4-vjeçarin që vjen”, tha Berisha.

Po ashtu shtoi Berisha “Lugina e Drinit ka të gatshëm projektin për autostradën Vau i Dejës-Fierzë”.

Fraksion.com