AktualitetPolitikëTë fundit

Zyrtarët e lartë të PD-së takojnë Komisioneren Kos: Mazhoranca po përdor drejtësinë

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Jorida Tabku, Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi zhvilluan sot një takim me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Zyrtarët e lartë demokratë e informuan Komisioneren Kos për zhvillimet në Shqipëri, duke e garantuar se opozita e mbështet procesin e integrimit “pasi është Partia Demokratike e cila e ka nisur këtë proces dhe po Partia Demokratike do ta përfundojë atë”.

Ky proces, sipas zyrtarëve demokratë, duhet të jetë i bazuar në ligje e në reforma konkrete dhe jo të vijë si dhuratë nga Bashkimi Europian.

Gjatë bisedës, demokratët e kanë njohur zyrtaren e lartë të Bashkimit Europian me “tentativën e mazhorancës për të zhbërë rolin e opozitës në Kuvend dhe refuzimin për të zbatuar Vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Zgjedhjet Parlamentare ishin fokusi kryesor i bisedës, ku Marta Kos u njoh me shqetësimet e opozitës “nga përdorimi i administratës dhe burimeve shtetërore, presioni ndaj votuesve, përdorimi i artificave për të penguar regjistrimin e lirë të votuesve në diasporë si dhe përfshirjen e krimit të organizuar në proces”.

Zyrtarët demokratë u shprehën se “opozita ndodhet nën sulm dhe se Kryeministri Edi Rama po përdor drejtësinë për këtë qëllim”.

“Lideri i opozitës Sali Berisha u mbyll për më shumë se një vit në arrest shtëpie pa asnjë fakt dhe provë. Ish-Presidenti i vendit dhe Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, u arrestua në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut, ndërsa nënkryetari i Grupit Parlamentar Ervin Salianji ndodhet në burg vetëm pse ka denoncuar lidhjet e mazhorancës me krimin e organizuar”, nënvizuan ata.

Tabaku, Gjekmarkaj dhe Bardhi i kërkuan Komisioneres Kos që tashmë që është hapur grupkapitulli themelor dhe zgjedhjet janë pjesë e tyre, Bashkimi Europian të monitorojë me vëmendje të shtuar këtë proces.

Fraksion.com