Më 16 mars zgjidhet pasuesi i Kryepeshkopit Anastas
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë ka njoftuar se më 16 mars 2025, në Ditën e Dytë të Kreshmës, do të mbahet zgjedhja e Kryepeshkopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Zgjedhja do të zhvillohet në Qendrën Sinodike, menjëherë pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, dhe do të ndjekë me përpikëri dispozitat e Statutit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ky proces vjen pas ndarjes nga jeta të Kryepiskopit Anastas, që udhëhoqi Kishën për më shumë se tri dekada. Pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas, në krye të Kishës Orthodokse Shqiptare u vendos përkohësisht Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani. Anastasi u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë.
“Zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë bën me dije se zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, i cili do të pasojë Kryepiskopin e ndjerë Anastasin, do të mbahet të Dielën e Dytë të Kreshmës më 16 mars 2025, në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore. Procesi i zgjedhjes do të ndjekë dispozitat e Statutit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Tiranë, 13 Mars 2025
Nga Sekretaria e Sinodit të Shenjtë”, thuhet në njoftim.
Fraksion.com