AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Kandidatët tanë të 11 majit promotorë të kauzave qytetare, 39% e listës janë gra

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga selia blu tha se lista e kandidatëve të opozitës të “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” është lista e fitores më 11 maj.

Berisha u shpreh se në listën e koalicionit të udhëhequr prej tij ka “politikanë me eksperiencë dhe të përkushtuar, promotorë të kauzave të drejta dhe të mëdha të qytetarëve shqiptarë, djem, vajza, burra dhe gra që kanë bërë një qëndresë epike gjatë këtyre 4 viteve të narkoshtetit”.

“Shqiptarët, panë mbrëmë listën e përfaqësuesve të tyre, të cilët në një seri të pafundme denoncimesh i bënë autopsi regjimit më të korruptuar të Europës, dhe ndër më të korruptuarit në botë. Bënë avokatinë e interesit publik në parlament dhe kudo”, tha Berisha.

Berisha publikoi dhe statistikat e listave. Sipas tij, 39% e listës janë gra, 18% janë të rinj dhe diaspora ka 7 përfaqësues.

“Janë nga 140 kandidatura, 85 janë burra, 55 janë gra. Pra gratë arrijnë në 39%.
Të rinj, janë 25, apo 18%. Pra, janë mbi parashikimet. Nga diaspora janë 7 përfaqësues”, u shpreh ai.

Sipas Berishës kandidatët për deputetë “nuk erdhën nga bodrumet e shtëpive mafioze”.

“Nuk erdhën nga Dubai, Aruba apo qendra të tjera të rrezikshme të mafies shqiptare, por erdhën nga vota, nga konsulta demokratike e anëtarëve të PD”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se anëtarët e koalicionit të aleancës për “Shqipërinë Madhështore” përfaqësojnë mbi 26% të votave, për PD-në.

“Shqiptarët panë në listën e PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore një koalicion më të gjerë që ka ndodhur ndonjëherë, koalicion i cili është faktor madhor i fitores më 11 maj, pasi anëtarët e kësaj aleance përfaqësojnë mbi 26% të votave të të gjithë shqiptarëve, pa PD këtu”, tha Berisha.

Berisha tha se kandidatët e PD-së nuk janë tërhequr se ishin në listë të hapur.

“Një pjesë e tyre, më përpara kanë bërë të ditur se nuk do të hyjnë në garë. Dhe cilido, le të bëjë një check up tek lista e kandidatëve që kanë hyrë në garë. Pra, kanë preferuar të vazhdojnë jetën e tyre private. Në tërësi, deputetët kanë pranuar verdiktin e listës. Tani, nuk po flas për ndonjë që nuk e pranoi verdiktin”, tha Berisha.

 

Fraksion.com