Balla: Vota e 11 majit për ta bashkuar Shqipërinë me Evropën
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla përshëndeti sot në seancën plenare të Kuvendit “vendimin e Parlamentit Evropian për të përcaktuar Tiranën dhe Shqipërinë si kryeqytetin e Evropës në Ballkan, duke përcaktuar ngritjen e zyrës së PE-së për rajonin në Tiranë”.
Balla theksoi se, “ky është një konfirmim tjetër i transformimit të Tiranës në kryeqytetin Evropian të Ballkanit dhe natyrshëm të një vlerësimi tjetër në vazhdën e shumë vlerësimeve të tjera të Shqipërisë si një qendër, si një pikë referimi, paqeje, stabiliteti dhe progresi në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm”.
“Ngritja e zyrës rajonale të PE-së në Tiranë konfirmon qartë edhe një peshë të rëndësishme të Shqipërisë sonë e cila do të vazhdojë të konsolidohet në mandatin tonë të ri si shumicë qeverisëse që do të burojë nga zgjedhjet e 11 majit dhe menjëherë pas 11 majit në fundjavën tjetër ne do të mirëpresim në Tiranë edhe Komunitetin Politik Evropian, e cila është edhe tryeza më e madhe politike sot në kontinentin e vjetër, e cila do të sjellë në Tiranë udhëheqësit e Evropës me përjashtim të Vladimir Putinit, nga presidenti francez Macron, tek kryeministri britanik, tek presidenti turk, kryeministri grek dhe gjithë udhëheqësit e tjerë përfshirë këtu dhe presidentin e Ukrainës”, tha Balla.
Balla theksoi se, Shqipëria sot është në një moment historik.
“Zgjedhjet e 11 majit janë një vendimmarrje historike dhe në këto zgjedhje shqiptarët do të votojnë për ta bashkuar Shqipërinë me Evropën. Ky është mandati ynë i katërt në qeverisjen e vendit, është mandati historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE-së”, tha ai.
Prandaj shtoi Balla, “vota për PS-në më 11 maj është votë për Shqipërinë evropiane”
Balla gjithashtu prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”.
Balla theksoi se, “ky është një hap tjetër i rëndësishëm sa i përket forcimit të marrëdhënieve bilaterale me këtë vend anëtar të BE-së”.
Fraksion.com