Apeli i GJKKO merr vendimin, Erion Veliaj lihet në burg. Ndryshon masa për biznesmenin Elman Abule
Apeli i GJKKO ka marrë vendimin në lidhje me ankimimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në lidhje me masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Ndërkohë gjykata ka ndryshuar masën për biznesmenin Elman Abule nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
- Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
- Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
- Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
***
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash në 9 raste. Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit, ndërsa dy ditë më pas GJKKO me vendim të gjyqtarit Erjon Bani vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij duke e lënë në qeli.
Fraksion.com