AktualitetTë fundit

Sekuestrohen 108 960 euro dhe 600 franga të padeklaruara në Portin e Durrësit

Një 40-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit “Aseti” në Portin e Durrësit, pasi në furgonin që ai drejtonte iu gjetën 108 960 euro dhe 600 franga të padeklaruara.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve ne kufi, në bashkëpunim me autoritetet doganore, finalizuan fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Aseti”, njoftoi policia.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. Z., 40 vjeç, banues në Dibër.

Sipas policisë “gjatë kontrollit në vijën e dytë, në furgonin që drejtonte ky shtetas, u gjetën 108 960 euro dhe 600 franga, që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar në pikën e kontrollit kufitar”.

“Së bashku me paratë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, furgoni që drejtonte i arrestuari, si dhe 2 celularë dhe pasaporta e tij”, njoftoi policia.

Tre ditë më parë, Policia e portit të Durrësit sekuestroi 223 200 euro të dyshuara produkt i krimeve dhe vuri në pranga poseduesin e tyre.

 

Fraksion.com