AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në Kavajë PS solli ndryshimin

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se nga një xhep fallco, Kavaja sot ka ndryshuar tërësisht.

Rama zhvilloi sot takime me asambletë socialiste të Kavajës dhe Vorës, ku u ndal te transformimi që ka ndodhur vitet e fundit në këto bashki.

“Këtu në Kavajë e keni parë vetë se çfarë të bën vajtja te shtëpia e mullixhiut për inat të vjehrrës. Ne bëmë një rezultat të jashtëzakonshëm, morëm bashkinë e Kavajës dhe  ndryshuam Kavajën se ishte xhep fallco që nuk kishte asnjë gjë veç pluhurit, farave të kungullit dhe njerëzve që bënin si bënin për të mbijetuar”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se në Kavajë nuk kishte as ujë, as drita por ishin vetëm ato dy gishtat te sheshi.

“Unë kur kam ardhur në Kavajë për herë të parë si kryetar i PS-së nuk bënim dot takime. Nuk na linte njeri në kinema edhe kur hynim në kinema kishte më shumë karrige bosh se sa njerëz në karrige. Kjo ishte PS. Këtu ndodhte që në një kuti të qendrave të votimit të mos merrte votat as të anëtarëve të komisionit sepse presioni ishte i madh, pensionistët atje mezi i linin të votonin etj, etj, gjëra të tmerrshme”, tha Rama.

Sipas tij, “tani gjërat kanë ndryshuar dhe kjo është si ëndërr, por duhet të nxjerrim rezultatin”.

 

Fraksion.com