AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në kantierin e Fakultetit të Studimeve Profesionale në Durrës: Program i veçantë investimesh për studentët

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e Fakultetit të Studimeve Profesionale, që po ndërtohet nga themelet, pjesë e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

I shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastiriliu, Rama pa nga afër punimet në këtë kantier ku parashikohet të ndërtohen 30 auditorë, 15 laboratorë shkencorë, salla konferencash, terrene sportive, pishinë dhe park.

Zhvillimi i kampusit do të vijojë më tej me një kompleks rezidencial për akomodimin e studentëve që vijnë nga rrethet e tjera.

Duke informuar mbi këtë investim, Manastirliu theksoi se ai do të ndryshojë rrënjësisht cilësinë e mësimdhënies në studimet profesionale.

“Fakulteti do të ketë 30 auditore, 15 laboratorë të shkencave teknike duke përfshirë atë të mekanikës, navigacionit, shkencave mjekësore teknike si dhe ambiente rekreative për studentët. Është planifikuar edhe pishinë, tarraca të gjelbra, biblioteka e terrene sportive  për ta bërë këtë kampus me standardet më të mira europiane”, tha Manastirliu.

Ministrja informoi se degët profesionale në këtë universitet janë degë të kërkuara, ndërsa shtoi se mbi 1700 studentë përfitojnë nga ky investim i ri, i cili i hap rrugën edhe investimit tjetër që të ketë rezidencë për studentët.

“Në të dyja anët e kampusit kemi investime për sportin si akademia e “Manchester City” dhe akademia e tenisit e ‘Rafa Nadal’. Zona bëhet një kompleks i vërtetë shërbimesh jo vetëm  arsimore, pro edhe edukative dhe sportive që i shërben studentëve dhe më gjerë”, tha ajo.

Kryeministri Rama bëri të ditur se është diskutuar për të pasur një program të veçantë investimesh dedikuar vetëm për studentët.

“Na ra në mes tërmeti, por kemi diskutuar të bëjmë një program të veçantë të dedikuar vetëm për studentët, sepse është shumë mirë t’i bëjë qeveria në bashkëpunim me bashkinë me qira që është shumë më modeste. Tani që përgjithësisht rindërtimi është mbyllur do ta bëjmë këtë”, siguroi Rama.

 

Fraksion.com