Rama: Mbi 400 familje në Vorë me shtëpi të reja nga Rindërtimi
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje përfitimet nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, ndërsa u shpreh se nisur nga ajo që ka ndodhur në vendet e tjera vërehet se dyfishohet vlera e pronës.
Në një takim me asambletë socialiste të Kavajës dhe Vorës, Rama u ndal te programi i rindërtimit prej të cilit vetëm në Vorë kanë përfituar shtëpi të reja mbi 400 familje.
“Vora po bëhet një qytet tjetër. Unë nuk e harroj kur kam ardhur atë natë, që kishte rënë tërmeti, ishte një tmerr edhe një frikë e madhe si do të zgjidhet kjo punë. Ndërkohë që, njerëzit ishin dëshpëruar komplet. Kishin dalë të gjithë nga shtëpitë. Sot janë 400 e ca që janë futur nëpër shtëpia janë dhe rreth 50 të tjerë që familje që kanë rezultuar në nevojë, po që nuk i kanë bërë aplikimet në kohë. Kemi nga kjo kategori dhe në Tiranë dhe vende të tjera”, tha Rama.
Sipas tij, “në Vorë kemi apartamente të reja, infrastruktura është e re, shkollat e çerdhet po ashtu si dhe kërkesat private për ndërtime janë rritur”.
“Qiratë këtu janë rritur, që do të thotë njerëz që kanë apartamentet, i japin dhe shtëpitë, i japin dhe me qira, kur kanë dhe mundësi tjetër vlera e pronës të të gjithëve iu është rritur, edhe do rritet edhe më shumë. Kini parasysh momentin që hyn Bashkimi Europian sipas asaj që ka ndodhur te të gjithë vendet e tjera prona dyfishohet. Gjëja e parë që ndodh është prona dyfishohet”, theksoi Rama.
Ndaj kryeministri kërkoi nga anëtarët e asambleve socialiste që në 60 ditë që kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, të marrin çdo votë për Partinë Socialiste.
“Mundësia që rezultati i arritur, që ka qenë shumë pozitiv për hir të vërtetës, të bëhet dhe më i thellë është reale, se gjithmonë ka mundësi për më mirë. Por edhe për faktin që ju keni bërë një punë shumë të mirë me votuesit në emigracion. Dhe në qoftë se do t’i bashkojmë bashkë këto energji, do bëhet një rezultat i jashtëzakonshëm. Ju lutem të fokusoheni dhe të bënim maksimumin në këto 60 ditë që në 11 maj të realizojmë këtë gjë të madhe për Shqipërinë, për Partinë Socialiste. Në 11 maj, ne duhet t’i prezantojmë atyre një Noc Rrok madhështor”, tha Rama.
Fraksion.com