Kursi i pilotit ushtarak të helikopterit, të rinjtë ndjekin ëndrrat në Bazën Ajrore të Farkës
Tre djem dhe dy vajza, oficerë të rinj me gradën toger, kanë nisur fluturimet e para në Bazën Ajrore të Farkës për t’u bërë pilotë.
Lajmin e ka ndarë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili shprehet se këta të rinj kanë hyrë në fazën praktike të Kursit të Pilotëve Ushtarakë të Helikopterit, gjë që sipas ministrit Vengu sjell “modernizim, investim në kapacitete njerëzore dhe trajtim dinjitoz për ta”.
“Forcat e Armatosura, gjithmonë në zhvillim”, shkruan ministri Vengu në postimin në rrjetet sociale.
Një prej tre togerëve, Mikel Musabelli thotë se aktualisht është kursant në Kursin Ushtarak të Helikopterit në Bazën Ajrore të Farkës.
“Kjo ka qenë një ëndërr e imja, por duke qenë se më përpara mundësitë nuk kanë qenë aq të shumta në Shqipëri, në vitet e fundit filloi edhe kursi i pilotit ushtarak të helikopterit si një risi pas shumë viteve pushim. Pra, erdhi mundësia që të ndiqja ëndrrën time”, thotë ai.
Toger Musabelli thekson se tashmë ka përfunduar pjesën teorike të kursit të përgatitjes në tokë dhe po merret me pjesën praktike.
“Ambicia ime është që të jem një nga pilotët më të mirë të Bazës Ajrore të Farkës dhe të vazhdoj karrierën time me një nga helikopterët më të mëdhenj që janë Cougar dhe Black Hawk”, shprehet Musabelli.
Fraksion.com