Shtyhet deri në korrik afati i komisionit kundër Dezinformimit
Komisioni i posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” shtyu sot afatin e punimeve deri në përfundimin e këtij sesioni parlamentar, në muajin korrik.
Më mbledhjen e sotme, kryetari i komisionit Erion Braçe bëri me dije se pas miratimit në komision, draftstrategjia kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit 2025-2030 dhe udhërrëfyesi në zbatim të saj është publikuar në faqen e Kuvendit dhe i është dërguar aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë civile, që kanë lidhje me fushën e veprimtarisë së këtij komisioni.
Braçe theksoi se është kërkuar opinion lidhur me përmbajtjen e saj në mënyrë që të gjitha palët të shprehnin mendimet dhe sugjerimet e tyre.
Komentet dhe sugjerimet e aktorëve, sipas tij, “janë në shqyrtim dhe do të merren parasysh gjatë finalizimit të draftstrategjisë”.
Braçe nënvizoi disa prej këtyre komenteve si nga organizata ndërkombëtare si OSBE, Komiteti shqiptar i Helsinkit etj, sa i përket platformave online, fuqizimi i kapaciteteve të njësive operative të zbulimit, krijimi i një mekanizmi të pavarur Komiteti Etik dhe Shkencor për monitorimin e aktiviteteve të entiteteve që merren me zbulimin e lajmeve të rreme , stimujt fiskalë në mbështetje të gazetarisë hetimore, integrimi i metodave fact-checking, etj.
Braçe bëri me dije se draftstrategjia do të vijojë të jetë për konsultim publik.
Fraksion.com