Osmani konferencë me Rutte: Ka ardhur koha që Kosova të bëhet anëtare e aleancës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO, për të kontribuuar si një anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale.
“Stabiliteti i rajonit është shumë i lidhur ngushtë edhe me integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në Aleancë për të kontribuuar si një anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale”, tha Osmani.
Në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentja theksi se Kosova meriton të ulet krah vendeve tjera të aleancës.
“Në Kosovë gjithnjë do të jeni si në shtëpinë tuaj, një shtëpi e ndërtuar në liri edhe me kontributin e mijëra grave dhe në uniformë të KFOR-it mision ky që mbetet më i gjati, më i madhi, por edhe më i suksesshmi në historinë e NATO-s. Uroj që shumë shpejt Kosova të jetë ulur krah për krah me vendet tjera të NATO-s. Ky popull përpara 25 vitesh u shpëtua nga NATO dhe tani pret që të jetë krah për krah me NATO-n”, tha ndër të tjera Osmani.
Më tej presidentja shtoi se Kosova tashmë ka arritur objektivat e NATO-s, por theksoi se për të forcuar këtë, është i nevojshëm një bashkëpunim i vazhdueshëm me aleatët.
“Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s… Për ta rritur këtë na duhet bashkëpunim më shumë me NATO-n. Në këtë rrugëtim jemi shumë të vetëdijshëm me sfidat që po ballafaqohemi si dhe kërcënimet që vazhdojnë të rëndojnë mbi sigurinë e Kosovës dhe gjithë rajonit. Serbia vazhdon të minojë përpjekjet për paqe dhe stabilitet. Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por gjithë rajonin. Sulmet në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj NATO-s në vitin 2023 të organizuara dhe të mbështetura ndaj strukturave të Serbisë, janë dëshmi e qartë e këtij rreziku”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka shtuar se prania e NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci për vendin, por është barrierë e çdo përpjekje për cenimin e paqes dhe stabilitetit.