Tabaku: Zyra e BEI-t në Tiranë për t’u siguruar që fondet nuk shpërdorohen
Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku u shpreh sot se, hapja e grup-kapitujve nuk do të thotë që përfundoi procesi i integrimit, e rëndësishme është të mbyllen grup-kapitujt.
Në prezantimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri” në Komisionin për Çështjet Europiane, duke replikuar me zv/ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Endrit Yzeiraj, Tabaku u shpreh se, “vendosja e fjalës integrim kudo nuk e zgjidh më shpejt situatën. Se i dëgjoj kolegët që thonë, hapja e selisë na ndihmon, na përshpejton integrimin”.
“E nisa ditën sot edhe duke dëgjuar komentet në mbledhjen e grupit parlamentar. Që ta kuptojnë që të gjithë, hapja e grup-kapitujve nuk do të thotë që përfundoi procesi, e rëndësishme është të mbyllen grup-kapitujt. Ajo që nuk ndodhi për 13 vite po ndodh tashmë sot dhe nuk është ndonjë arritje e madhe”, vijoi Tabaku.
Tabaku u shpreh se, hapja e selisë së BEI në Shqipëri nuk është një vulë e madhe besimi.
“Së pari, nuk është një vulë e madhe besimi. BEI po hap këtu në Tiranë, për të zbatuar Planin e Rritjes dhe për të marrë komponentët e Planit të Rritjes që të mos i marrë qeveria shqiptare. Unë nuk e shoh si një vulë të madhe besimi. Unë e shoh si një skepticizëm ndaj institucioneve shqiptare, që nuk e kryejnë dot punën dhe kemi BEI-n këtu që do t’i kryejë të gjithë aktivitet BEI, për t’u siguruar që fondet nuk shpërdorohen. Sepse ajo që ka ndodhur me IPARD-in, për shembull me fondet e bujqësisë, është një njollë shumë e madhe në institucionet shqiptare”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se, “opozita këtu e ka mbështetur procesin, mbështet marrjen e çdo lloj fondi sa që bëhet fjala për procesin e integrimit, por që ato që kanë ndodhur me fondet e BE-së, që nga zyra e SASPAC-ut, me zotërinë që sot është përpara drejtësisë tek fondet e IPARD-it, janë njollë e zezë për institucionet shqiptare”.
Shqetësimi i dytë, u shpreh Tabaku, “a kemi një axhendë legjislative ne për sa i përket Planit të Rritjes që është një marrëveshje që do kalojë nesër meqenëse sot njoftohet në seancë? Cilat janë aktivitetet dhe projektet që po diskutoni dhe po negociohen me BEI-n? Projektet për Planin e Rritjes a janë shoqëruar me fonde shoqëruese të qeverisë shqiptare, sepse disa prej këtyre projekteve mund të jenë projekte më madhore në infrastrukturë, përveç projekteve që lidhen me energjinë e gjelbër, klimën e biznesit, e me radhë?”.
Në përgjigje Yzeiraj u shpreh se, “arsyeja pse është e nevojshëm të ketë një zyrë këtu është sepse projekti i planit të Ri të Rritjes është një projekt tejet specifik, i cili po koordinohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe ka nevojë për një ndjekje të vazhdueshme e cila shton edhe nevojën e burimeve njerëzore në terren”.
“Kjo është arsyeja dhe kuptohet që kjo po ndodh vetëm e vetëm sepse rajoni po i afrohet integrimit në BE”, tha ai, duke shtuar se, “ky është një hap që tregon besim”.
Sa i përket planit legjislativ të Planit të ri të Rritjes ose axhendë së Reformave, Yzeiraj tha se, “ka një plan 3-vjeçar deri në dhjetor 2027 për një sërë aktesh që duhet të miratohen”.
Fraksion.com