Rama: Shpejtësi e paprecedent në hapjen e kapitujve të negociatave me BE si asnjë vend i rajonit
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste nënvizoi sot rëndësinë e një fitoreje të thellë në zgjedhjet e 11 majit për të përmbyllur brenda kalendarit të dakordësuar me Bashkimin Europian negociatat për anëtarësim.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Rama u ndal te ecuria e procesit negociues me Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se Shqipëria ka përparuar me shpejtësi të paprecedent për hapjen e kapitujve.
“Qysh nga viti i kaluar kur filloi konkretisht të zbatohet procesi i negociatave, pas procesit Screening, deri sot që flasim shpejtësia me të cilën ne kemi përparuar në hapjen e kapitujve është e paprecedent. Asnjë vend tjetër përpara nesh dhe asnjë vend i rajonit nuk ka ecur me këtë shpejtësi”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, “jo thjesht për meritën tonë por në radhë të parë se vullneti i palës tjetër është i paprecedent”.
“Ne kur kemi ardhur në detyrë kemi qenë brima e fundit e kavallit. Prapambetja jonë në atë proces ishte e atillë që na u desh kohë për të afirmuar statusin e kandidatit, as për kandidat nuk na shikonin të gatshëm në atë kohë. Na thuhej se në pararojë të procesit ishin disa të tjerë”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri theksoi se tani të tjerët janë pas nesh.
“Me Malin e Zi, që këtë proces që ne po e bëjmë në një kohë të shkurtër e ka bërë për shumë vite, tani jemi krah për krah. Kalendari që na kanë dhënë është të mbyllim negociatat në vitin 2027”, shtoi Rama, duke informuar mbi kalendarin e dakordësuar me Bashkimin Europian.
Kryeministri tha se aktualisht në këtë proces janë angazhuar rreth 1 mijë persona në shtetin shqiptar që punojnë përditë për negociatat dhe rreth 40 drejtues të grupeve negociatore.
“Është një strukturë e cila është baza e suskesit të negociatave dhe qoftë edhe për të mos lëvizur me asnjë ditë procesin e planifikuar të punës së gjithë kësaj armate njerëzish, 11 maji duhet të jetë vetëm vula e vullnetit popullor për t’i dhënë mandatin e katërt PS-së me një mbështetje si asnjëherë më parë që ne të mbyllim procesin dhe të mos kemi asnjë luhatje e ditë të humbur, jo më të humbasim muaj”, theksoi Rama.
Nëse në këtë proces do të humbet kohë, kryeministri u shpreh se “dritarja do të mbyllet dhe nuk e dimë më se kur rikthehet në axhendë anëtarësimi me këtë përputhje interesash”.
“Në fund të ditës është një gjë interesi ynë dhe i çdo vendi për të hyrë në BE, është një gjë tjetër ndjekja e këtij procesi nga Komisioni Europian në nivelin teknik dhe komplet gjë tjetër përputhja e interesit të 27 vendeve. Kjo e treta është më e vështira, këtë të tretën sot e kemi në dispozicion. Ndaj të gjithë shqiptarëve që duan ta shikojnë Shqipërinë anëtare në BE u them se anëtarësimi në BE sot është më shumë e asnjëherë në gjithë këto vite një çështje ekzistenciale për popullin dhe shtetin shqiptar”, shtoi ai.
Fraksion.com