AktualitetPolitikëTë fundit

“Nuk do të lë vendin pa institucion akuze”, Berisha: Komisioni i Venecias do të trajtojë problemet e Reformës në Drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha sqaroi sot se “PD nuk synon ta lërë vendin pa një institucion akuze”, por sipas tij “nevojitet një reformim dhe një institucion akuze për një vend të lirë”.

Në një konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me deklaratat e tij për shkrirjen e SPAK, Berisha siguroi se “asnjë hap nuk do mund të bëhet pa Komisionin e Venecias, i cili nuk do të jetë vetëm arbitri, por do të jetë institucioni që do të trajtojë problemet e Reformës në Drejtësi”.

“Në burimet diplomatike dhe në burime të tjera është ngritur kjo çështje të përpjekjeve  për të bashkuar votat me PD-në, dhe kjo nuk mund të ndodhte. Se unë veprimin e kam shpjeguar pse e kam. Nuk e kam që të lë vendin pa një institucion akuze, kurrë. Për një reformim dhe një institucion akuze për një vend të lirë, siç duhet të jetë një vend i lirë”, theksoi Berisha.

Berisha theksoi se “Edi Rama dështoi të sigurojë votat e PD-së dhe të bindë Sali Berishën për të shkrirë Skapin e partisë”.

“Dështoi, bëri përpjekje ai, edhe publike, edhe nën rrogoz, por siç kam deklaruar dhe siç jam betuar nuk do i bashkoj kurrë votat me të, pasi asnjë hap nuk do mund të bëhet pa Komisionin e Venecias, i cili nuk do të jetë vetëm arbitri, por do të jetë institucioni që do të trajtojë problemet e Reformës në Drejtësi. Kjo është e gjitha. Ka hallin shumë të madh ai, sepse ai mendonte meqënëse Sali Berisha është akuzuar padrejtësisht, tani në akt hakmarrjeje do të pranojë të votojë për shkrirjen e Skapit. Por kjo nuk mund të ndodhte, e kalkuloi gabim. I llogariti gabim hesapet, dhe mbeti duarbosh”, theksoi ai.

Duke folur për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Berisha u shpreh se “Chris LaCivita është forcë madhore në fitoren e ardhshme të këtij koalicioni”.


Fraksion.com