AktualitetPolitikëTë fundit

Ndërtimi i rrugës së Komanit, Rama publikon opinionet: Kjo rrugë është fryma dhe çelësi i zonës. Premtim i dhënë po bëhet realitet

Ndërtimi i rrugës së Komanit në bashkinë e Vaut të Dejës, në Shkodër, një aks prej 31 kilometrash, për vetë banorët e zonës tashmë është një ëndërr që po bëhet realitet.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale disa opinione të qytetarëve nga kantieri i Rrugës së Komanit.

Rama thekson se ky aks rrugor që lidh dy hidrocentralet, rrit sigurinë e qarkullimit, si edhe i jep një hov të ri turizmit të kësaj tjetër zone të bekuar të Shqipërisë.

Një nga banorët e kësaj zone i kthyer nga emigrimi shprehet se janë shumë të kënaqur nga ndërtimi i rrugës.

“Aty fillon çdo gjë. Jam kthyer nga emigrimi jam munduar të hap një biznes, por pengesa më e madhe ka qenë rruga. Qysh se ka filluar rruga ka patur një interes për të ardhur për të investuar dhe për të punuar. Fryma dhe çelësi i kësaj zone është rruga e Komanit. Kemi krijuar besimin tonë se një premtim i dhënë po bëhet realitet. Është dy herë frymëzim, edhe po na bëhet rruga, por edhe po na jep kënaqësia të madhe që premtimet që jepen po bëhen realitet”, thotë ai.

Një vajzë e re thekson se dëshira e tyre është që pas shumë vitesh ta shikojnë edhe zonën e Komanit të zhvilluar dhe me investime të reja. “Për ne të rinjtë sidomos që jemi nga Komani është shumë e rëndësishme sepse na bën që të kthehemi në vendin tonë dhe të investojmë. Pas shumë vitesh duam ta shikojmë këtë vend me shumë investime të reja dhe pse jo, për të ndihmuar prindërit tanë”, u shpreh ajo.

Gjithashtu, po një tjetër banor thotë se “kjo është shumë  e rëndësishme e pritëm prej shumë vitesh, ne jemi bërë shumë të bezsdisshëm derë më derë, por kjo do të ndikojë 100% për mirë. Gjej rastin të falenderoj Kryeministrin, qeverinë shqiptare për me u realizu kjo andërr e pritur prej shumë vitesh”.

“Të gjithë përfitojnë prej kësaj rruge, por më shumë se askush besoj se shëndetësia se kemi të bëjmë me jetën e njerëzve. Ka qenë një bekim për ne se kur e kam transportuar të sëmurin prej dy orë e sa, shkurtohet gjysma e kohës dhe merr ndihmën në kohën e duhur dhe gjithçka ecën mbarë. Me hapjen e rrugës ju na keni falur jetë”, shprehet një tjetër banore e kësaj zone.

 

Fraksion.com