AktualitetBota+Të fundit

Kriza e vazhdueshme i kushton Gjermanisë 735 miliardë euro

Krizat e pesë viteve të fundit i kanë kushtuar Gjermanisë shumë. Ky është rezultati i hulumtimit të Institutit të Ekonomisë Gjermane. Ekonomistët kërkojnë masa.

“Pas rikuperimit nga tronditja pandemike, ekonomia gjermane nuk e ka arritur nivelin e vitit 2019 për tre vjet me radhë”, thuhet në raport. Në të njëjtën kohë, humbjet ekonomike janë më të mëdhatë në 25 vitet e fundit në Gjermani.

Gjatë krizës strukturore nga viti 2001 deri në vitin 2004, humbjet arritën në 3,4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa kostot ekonomike të krizës financiare2008/09 arritën në 4,1 për qind. Që nga shpërthimi i pandemisë, humbjet kanë arritur në një rekord prej 4,3 për qind të PBB-së.

Neglizhenca ndaj mjedisit të biznesit?

“Gjermania është në krizëne saj më të rëndë ekonomike që nga ribashkimi,” tha drejtori i ekipit që ka bërë këtë analizë të IW, Michael Grömling. “Korona dhe Ukraina kanë ndalur pothuajse tërësisht aktivitetin investues të kompanive. Kjo tashmë po redukton potencialin tonë të prodhimit dhe do të vazhdojë të pengojë edhe në vitet e ardhshme.

Por edhe politika mban përgjegjësi. Për vite me radhë ka neglizhuar mjedisin e biznesit, pra kushtet për të bërë biznes brenda vendit. “Kjo është arsyeja pse krizat na godasin kaq shumë,” tha Grömling. Detyra e qeverisë së ardhshme do të jetë të kompensojë këtë boshllëk – për shembull, me stimuj financiarë, energji më të lirë dhe më pak burokraci.

Rënie e madhe e konsumit privat

Humbjet totale në konsumin privat gjatë pesë viteve të fundit, sipas studimit, arrijnë në rreth 470 miliardë euro. Kjo përkon me një shumë prej 5.600 euro për frymë. Megjithatë, në terma afatgjatë, ndikimi më i rëndësishëm do të jetë ulja e nivelit të investimeve të korporatave.

“Ndërsa në periudhën kryesore të pandemisë, humbjet e konsumit ishin dukshëm më të mëdha se humbjet e investimeve, vitet e fundit ndikimi negativ i mungesës së investimeve është ndjerë gjithnjë e më shumë”, thekson IW. Në formimin e kapitalit fiks bruto, humbjet në 20 tremujorët e fundit, që nga shpërthimi i pandemisë, vlerësohen në 265 miliardë euro.

Mbështetje ekonomike për planet e reja të investimeve

Ndërkohë, Unioni CDU/CSU dhe Partia Socialdemokrate (SPD) kanë bërë përparim të rëndësishëm në negociatat e tyre dhe kanë rënë dakord për një paketë investimesh me përmasa historike të financuara nga borxhi për mbrojtjen dhe infrastrukturën.

Nga njëra anë, kufiri i përcaktuar me kushtetutë i huamarrjes do të lehtësohet për shpenzimet e mbrojtjes, siç njoftuan negociatorët pas raundit të tretë të bisedimeve të martën (4 mars) në mbrëmje në Berlin. Gjithashtu, do të krijohet një fond special prej 500 miliardë eurosh për rindërtimin e infrastrukturës.

Ekonomistët vlerësojnë pozitivisht marrëveshjen e arritur. “Ky është një moment historik, një paketë e fortë dhe e mirë,” tha Jens Südekum, profesor i ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf.

Megjithatë, çelësi është të sigurohet që paratë të investohen në projekte të përshtatshme. “Fondi i posaçëm i infrastrukturës duhet të shoqërohet me një përshpejtim të procedurave të miratimit dhe dhënies së lejeve të ndërtimit”, theksoi Südekum.

Në përgjithësi, bëhet fjalë për dërgimin e një mesazhi bindës për sektorin privat se shteti tani është duke hyrë seriozisht në një ofensivë investimi. “Në përgjithësi, Evropa është në mes të një kthese historike,” komenton Carsten Brzeski, kryeekonomist në ING.

“Zhvillimet e ditëve të fundit ndoshta e kanë shtyrë qeverinë e ardhshme gjermane të ndërmarrë një hap historik, duke shpallur një paketë tatimore që më në fund mund të shënojë fillimin e viteve më të mira për ekonominë”, përfundon Brzeski./DW

 

Fraksion.com