“Dritare e hapur me BE-në që nuk duhet humbur”, Rama: Zgjedhjet e 11 majit në kontekst të jashtëzakonshëm gjeopolitik
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se, për herë të parë është hapur një dritare që nuk ka qenë e hapur siç është sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama foli lidhur me procesin e përgatitjes së skuadrës së 11 majit.
Rama u shpreh se, kjo mbledhje është e pazakontë, pasi theksoi ai, “edhe vetë situata, edhe vetë rëndësia, edhe vetë konteksti i këtyre zgjedhjeve është shumë i pazakontë”.
“Besoj që është më rëndësi të veçantë që të gjithë ne që jemi këtu dhe e gjithë familja jonë e madhe politike të vetëdijësohet sa më shumë për rëndësinë e jashtëzakonshëm të këtyre zgjedhjeve në një kontekst të jashtëzakonshëm gjeopolitik”, tha Rama.
“Besoj se qysh se unë kam privilegjin të udhëheq këtë forcë politike dhe në të gjitha zgjedhjet e derisotme 9 të tilla në asnjë prej tyre pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme siç është në këto zgjedhje”, tha Rama.
Rama tha se, këto zgjedhje zhvillohen në një kontekst të dyfishtë të jashtëzakonshëm.
“Njëri është konteksti i marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian dhe i marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe me Ballkanin Perëndimor dhe tjetri është konteksti i anëtarësimit ose i anëtarësisë sonë në aleancën euroatlantike dhe i sigurisë në tërësi”, tha Rama.
“Për të dyja këto arsye madhore”, theksoi Rama, “zgjedhjet e 11 majit nuk janë aspak të zakonshme dhe rezultati i 11 majit është më shumë sesa rezultat i partive politike apo në rastin tonë është më shumë sesa fitore e PS-së në vetvete”.
“Për ne si familje politike dhe për flamurin tonë ka qenë gjithmonë e rëndësisë së veçantë që të fitojmë zgjedhjet. Por në 11 maj rëndësia e fitores së zgjedhjeve dhe vetë rezultati i zgjedhjeve kanë një peshë mbi të ardhmen e afërt të vendit, shumë më të madhe sesa ç’kanë pasur në të gjitha zgjedhjet e mëparshme 9 herët me radhë”, u shpreh Rama.
“Për herë të parë qysh se unë jam në krye të PS-së dhe pastaj dhe në krye të qeverisë është hapur një dritare që nuk ka qenë e hapur siç është sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Për herë të parë dëshira jonë dhe ambicia shqiptare për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes evropiane përputhet me dëshirën dhe me ambicien e BE-së, për të përfshirë në familjen e vetë Shqipërinë si asnjëherë më parë”, theksoi Rama.
Fraksion.com