Kurti: Serbia ndërhyri në zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi të dielën Serbinë se përmes formave të ndryshme ka ndërhyrë në zgjedhjet e një muaji më parë në Kosovë, duke dëmtuar subjektet politike serbe që garuan përballë Listës Serbe, të themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.
Ai i bëri këto komente gjatë një konference shtypi së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim Nnenad Rashiç, subjekti i të cilit ka fituar një ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se ndërhyrjet e Serbisë kanë qenë kryesisht hibride duke përdorur joshjen, kushtëzimin financiar, frikësimet dhe sulmet kibernetike.
“Presidenti i Serbisë ka deklaruar vazhdimisht se vetëm Lista Serbe mbron Serbinë në Kosovë. Ai ka inkurajuar të gjithë aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë që të cenojnë gjithë procesin zgjedhor në Kosovë. Krahas kësaj e për të njëjtin qëllim Presidenti i Serbisë ka autorizuar kryeterroristin Milan Radoiçiç për të zhvilluar planin e ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se autoritetet e rendit në Kosovë kanë marrë dëshmi të qytetarëve për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor dhe sipas tij. janë përdorur të paktën dhjetë metoda përfshirë përçarjen e rivalëve të Listës Serbe dhe kërcënime.
“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe të Nenad Rashiçit dhe Demokracia Serbe të Aleksandar Arsenijevicit por, po ashtu edhe votuesit të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se mediat e kontrolluara nga pushteti në Beograd kanë shpërndarë dezinformata së bashku me dy mediat ruse Sputnik Serbia dhe Russia Tooday Balkan.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, tha se Lista Serbe me mbështetjen e autoriteteve në Serbi ka përdorur të gjitha metodat për të fituar të 10 mandatet që i takojnë e komunitetit serb në Kosovë.
“Autoritetet serbe i përdorin serbët e Kosovës si mekanizëm për menaxhim, mekanizëm ky që shpesh është edhe si element për destruktivitet. Ata nuk duan që ne të kemi integrim të plotë dhe një jetë në harmoni në Kosovë, por pikërisht të kundërtën”, tha zoti Rashiç.
Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës hodhi poshtë akuzat ndërsa theksoi se ka siguruar mbështetjen më të madhe të popullit serb.
“Ne jemi po aq krenarë që qëndrojmë nën flamurin e Serbisë dhe kemi mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiç sepse falë kësaj mbështetjeje serbët mbijetojnë në këto zona dhe (Nenad) Rashiç qëndron në krah të (Albin) Kurtit që dëshiron të dëbojë çdo gjë serbe”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Vëzhgues të zgjedhjeve nga institucionet evropiane në raportet e tyre për zgjedhjet në Kosovë theksuan se autoritetet e Serbisë kanë ndërhyrë në zgjedhje duke mbështetur një nga gjashtë partitë politike të serbëve të Kosovës.
Sipas rezultateve paraprake Lista Serbe ka fituar nëntë nga dhjetë vendet që i takojnë komunitetit serb, meqë një e fitoi Partia e Pavarur Liberale e ministrit aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç.
Fraksion.com