Duke pritur Brukselin, Mickoski lidhet me një kamp tjetër
Diplomacia në Maqedoninë e Veriut ka marrë një drejtim të ri – nuk heq dorë nga BE-ja, por po afrohet me vende që nuk janë në të njëjtën linjë me qëndrimet diplomatike të vendeve anëtare të Unionit, komentojnë analistët politikë për Radion Evropa e Lirë. Aktivitetet e fundit diplomatike në Uashington, Budapest dhe Stamboll interpretohen si një përpjekje për t’u inkuadruar në rigrupimin e ri global.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, vendosi që aktivitetet e tij diplomatike t`i forcojë në qendra të tjera botërore, në vend të Brukselit, pas vendimit për të pritur garanci nga Bashkimi Evropian (BE) se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Qeveria bullgare për të bërë hapin e fundit drejt hapjes së kapitujve të negociatave të anëtarësimit.
Nga selia e BE-së përgjigja mbetet e njëjtë – negociatat formalisht do të fillojnë me përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës.
Vetëm javën e kaluar, Mickoski arriti një bashkëpunim të ngushtë me Hungarinë dhe Turqinë dhe ishte bashkësponsor i rezolutës së propozuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të cilën Rusia nuk u përmend si agresor.
Në takimin në Budapest, me presidentin hungarez, Viktor Orban, u njoftua një zonë e re e përbashkët ekonomike midis Maqedonisë së Veriut, Hungarisë dhe Serbisë.
“Ky nuk është një zëvendësim për integrimin (në BE), por mund të konsiderohet si një çmim ngushëllimi për ndërtimin e një rajoni të përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Orban në konferencën e përbashkët për shtyp.
Më 28 shkurt, Mickoski nënshkroi një deklaratë të përbashkët politike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për krijimin e një Këshilli për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë. Erdogan tha se përveç bashkëpunimit ekonomik, me Mickoskin diskutuan edhe për çështje tjera globale, si konfliktet ushtarake në Ukrainë dhe Gaza.
“Këtu shkëmbyem disa mendime dhe për ne është thelbësore që në Ukrainë të vazhdojë dialogu dhe të zgjidhet ky problem në mënyrë paqësore. Për më tepër, në Palestinë kemi një mendim të përbashkët për krijimin e dy shteteve”, tha Erdogan.
Më herët, më 22 shkurt, Qeveria maqedonase ishte bashkësponsore e rezolutës së OKB-së, e propozuar nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Përfaqësuesit nga Maqedonia e Veriut në OKB votuan të përmbajtur si për rezolutën evropiane, ashtu edhe për atë amerikane.
Këto lëvizje diplomatike të Mickoskit kanë ngritur pyetje në publik nëse politika e jashtme maqedonase po ndryshon drejtim, përkatësisht nëse po largohet nga rruga e integrimit evropian, duke u afruar me partnerë strategjikë që nuk janë gjithmonë në të njëjtën linjë diplomatike me diplomacinë evropiane.
Mes SHBA-së dhe BE-së
Sipas ish-ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Uashington, njëherësh edhe profesor universitar, Vasko Naumovski, qëllimi strategjik i vendit është integrimi evropian, por ndërkohë po përpiqet të ndjekë një politikë të jashtme më autonome, pasi formalisht ende nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.
“Nëse Maqedonia (e Veriut) do t’i kishte filluar negociatat për anëtarësim, atëherë vetë BE-ja do të mund të ushtronte presion që Maqedonia (e Veriut) të harmonizohej me qëndrimet e saj. Por, në këtë situatë është e vështirë të thuhet nëse ekziston një qëndrim unik i të gjithë Bashkimit Evropian për çështjet kyç, duke ditur se një pjesë e mirë e vendeve anëtare të BE-së nuk janë konsistente në qëndrimet e tyre”, thotë Naumovski.
Ai vlerëson se marrëdhëniet që ka vendi me BE-në duhet të vazhdojnë në kuadër të zgjerimit të Unionit, por sa i përket çështjeve të politikës së jashtme, afrimi me qëndrimet e SHBA-së do të thotë që vendi të ketë një pozicion që nuk do të jetë gjithmonë i përputhshëm me shumicën e vendeve anëtare të BE-së.
“Pozicioni ynë duhet të kërkohet diku ndërmjet qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së”, shton Naumovski.
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nenad Markoviq, vizitat dhe takimet e shpeshta të Mickoskit me politikanë nga Uashingtoni, Budapesti dhe Stambolli i sheh në kuadër të filozofisë sovrane të veprimit.
Rigrupimi i kampeve
Blloku sovran është një aleancë politike e caktuar, ndonjëherë edhe joformale, e partive ose individëve që përqendrohen në mbrojtjen dhe forcimin e sovranitetit kombëtar.
Markoviq vëren se në atë bllok politik ekziston një lloj koordinimi ose marrëveshjeje për hapat e ardhshëm të përbashkët. Për të, kjo është e pritshme, duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE-ja dhe Mickoski e sinjalizuan këtë që para zgjedhjeve.
“Është shumë e qartë se mesazhi nga Qeveria jonë është se nuk mbështetet shumë në BE, se nuk mbështetet shumë në ndonjë qëndrim të përbashkët, pra se iniciativat do të jenë bilaterale ose multilaterale në bllokun politik që përmenda më parë. Është e qartë se kampet politike po rigrupohen në nivel global dhe ne po lidhemi me një kamp krejtësisht të ndryshëm, në një mënyrë që deri tani është mjaft e re dhe e paeksploruar. Do të shohim se cilat do të jenë rezultatet”, thotë Markoviq.
Analisti politik Bllagojçe Atanasovski mendon se kryeministri Mickoski dhe ministri i jashtëm Timço Mucunski, po largohen nga BE-ja.
“Ky është përfundimisht një impuls për një kurs të ri, pra braktisja e konceptit të integrimeve evropiane”, thotë Atanasovski.
Por, Markoviq mendon se aktivitetet e shtuara diplomatike në Uashington, Budapest dhe Stamboll nuk përfaqësojnë “kthim shpine ndaj BE-së”, por një përpjekje për të gjetur një ekuilibër midis dy rrëfimeve në politikën e jashtme.
“Ajo që më pak ose më shumë me sukses po bëjnë (Aleksandar) Vuçiqi, deri diku edhe (Viktor) Orbani, me atë që Orban vepron pak më radikalisht nga brenda, pak më ndryshe. Serbia dhe Maqedonia (e Veriut) nuk janë në BE, kështu që duhet të kenë pak më shumë takt dhe më shumë ndjeshmëri për këto çështje. Megjithatë, mesazhi është i qartë – Ne mendojmë se më tej nuk mund të vazhdohet nën këto kushte, dhe e vendosim atë në një lloj stand-by politik, duke u përpjekur të lidhemi me një rrëfim tjetër. Si do ta përjetojë këtë BE-ja mbetet të shihet”, thotë Markoviq.
Për Naumovskin, strategjia e re diplomatike e Qeverisë nuk është arsye për largim nga rruga evropiane, por përkushtimi i pamjaftueshëm i vetë vendeve anëtare të Unionit ndaj procesit të zgjerimit.
Normalja e re
Për vetëm tetë muaj, sa është në detyrë, Mickoski e ka vizituar tri herë Uashingtonin, përfshirë këtu edhe inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Pas pjesëmarrjes në Konferencën për Veprim Politik Konservator (CPAC) në Uashington, Mickoski deklaroi se nga atje “vjen normalja e re” dhe ai dëshiron të jetë i pari që e kap atë.
“Duhet të zëmë terrenin dhe të gjejmë veten në normalen e re, kjo është fushata ime. Nga ana tjetër, duhet të themi se cili është frustrimi dhe dhimbja jonë”, tha Mickoski në Konferencën në Uashington.
Më parë, në janar, kryeministri maqedonas mori pjesë në inaugurimin e Donald Trumpi, dhe ishte në Uashington në fillim të mandatit të tij duke udhëhequr delegacionin që mori pjesë në Samitin e NATO-s.
Ndërkohë, gjatë mandatit të tij pas fitores në zgjedhjet e majit 2024, u mbajtën dy konferenca ndërqeveritare me të ashtuquajturin “partner i pabindur i BE-së”, Hungarinë, një vend nga i cili Qeveria e Mickoskit mori një kredi prej një miliard eurosh. E para ishte në shtator në Ohër, dhe e dyta u mbajt më 4 mars në Budapest.
Gjatë diplomacisë së intensifikuar të autoriteteve maqedonase, fokusi është edhe te bashkëpunimi ekonomik.
Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, eksporti i Maqedonisë së Veriut në Hungari vitin e kaluar ishte 308 milionë dollarë, ndërsa importi i produkteve hungareze në vend ishte 232 milionë dollarë.
Produktet që arritën në tregun amerikan vitin e kaluar ishin me një vlerë totale prej 118 milionë dollarësh, ndërsa importi i produkteve amerikane në tregun e Maqedonisë së Veriut ishte 196 milionë dollarë.
Ndryshe nga këto dy vende, shkëmbimi tregtar turko-maqedonas është më i madh. Importi i produkteve turke vitin e kaluar ishte 816 milionë dollarë, ndërsa eksporti 165 milionë dollarë. Erdogan deklaroi se pret që këtë vit këto shifra të dyfishohen.
Partneri më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar ishte Gjermania. Gjithsej 40 për qind e të gjithë eksportit maqedonas të produkteve përfundon në tregun gjerman. Gjatë vitit të kaluar ky eksport ishte 3.3 miliardë dollarë, ndërsa importi maqedonas i produkteve gjermane ishte 1.3 miliardë dollarë./REL
Fraksion.com