AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Në listat e mbyllura vajza, gra dhe djem që janë forca e së resë, burrat në territor për të marrë mandate

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në listat e mbyllura për zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste do të ketë vajza, gra dhe djem që janë forca e të resë, forca e gruas së një Shqipërie që shikon përtej vitit 2030.

Në një takim me gratë dhe vajzat socialiste nga i gjithë vendi me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryeministri Edi Rama foli për përfaqësimin e PS-së në zgjedhjet e 11 majit.

Në vigjilje të kësaj sfide shumë të madhe për vendin, Rama theksoi se Partia Socialiste ka barrën e saj të pashmangshme në këtë sfidë, por në 11 maj Shqipëria ka sfidën për të mos humbur asnjë minutë në një proces ku rrethanat tona të brendshme dhe rrethanat e  brendshme të Europës janë bërë një.

“Për herë të parë mundësia për t’u bërë pjesë e familjes europiane është reale dhe në duart e shqiptarëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se PS po përgatitet të hyjë në fushën e betejës elektorale, ndryshe nga opozita.

“Ndryshe nga të tjerët që kanë grumbulluar të gjitha “rraqet mashkullore” të Shqipërisë në emër të një madhështie që Zoti e di si e ku është. Gjëja më madhështore që shoh në atë anë janë mustaqet e Kujtim Gjuzit, aty keni kartëvizitën e madhështisë së asaj bauleje me rraqe”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se PS do të ketë një qasje krejt tjetër dhe burrat që kanë marrë nga PS mandat do t’i hedhim në fushë që të meritojnë mandate.

Ndërkohë, Rama shtoi se gratë do t’i ndajnë në dy grupe.

“Gratë që do të jenë nikoqiret e gjithë këtij procesi të 4 viteve të ardhshme dhe do ta marrin përfaqësimin e PS-së me mbështetjen e të gjithëve ne në pjesën e mbyllur të listave dhe pastaj vajzat që do të jenë pjesë e listave të hapura”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se në listat e mbyllura PS do të ketë djem, vajza, gra që janë forca e të resë, forca e gruas së një Shqipërie që shikon përtej vitit 2030.

Ndërkohë, Rama theksoi se në gjithë pjesën tjetër të skuadrës do të përfshijmë të gjitha energjitë, eksperiencat dhe të gjithë burrat luftëtarë do të jenë aty për të shkuar dhe fituar në territor vota për PS-në.