Linda Rama në Samitin Global të “Forbes”: Fuqia pas progresit dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt tryezës së BE
Revista e famshme amerikane ”Forbes” njoftoi nëpërmjet platformës së saj X, pjesëmarrjen e bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama, Linda Ramës në samitin Forbes 2025 që po zhvillohet në Abu Dhabi me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas.
Linda Rama, 60 vjeç, gruaja e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për dekada e angazhuar për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale dhe ekonomike pas rënies së komunizmit në vendin e saj, u shpreh se këto të drejta kanë qenë thelbësore, veçanërisht për gratë dhe vajzat, shkruan msnbc.com.
Ekonomiste, avokate për të drejtat, bashkëshortja e kryeministrit shqiptar Edi Rama, Linda bisedoi me Mika Brzezinski, mbi temën “Fuqia pas Progresit” në samitin e Forbes30/50.
“Në tre dekada jam me 300 prej jush dhe kjo është një mrekulli për brezin e moshës sime që jetoi në komunizëm”, theksoi ajo.
Tani në vitin e tij të katërt, Samiti 30/50 bashkon gjenerata të lidereve femra më me ndikim në botë, ndikuese dhe inovatore për mundësi të paprecedentë të rrjeteve, mentorimit dhe lidershipit, të gjitha me synimin për të nxitur ndryshimin global dhe barazinë gjinore.
Studiuesja, ekonomistja, bashkëthemeluesja dhe aktivistja iu bashkua kryetares së Samitit 30/50 Mika Brzezinski në skenë për të folur për tranzicionin dinamik të vendit të saj dhe rolin që ajo ka luajtur në të.
“Shqipëria quhej Koreja e Veriut e Evropës”, kujtoi Linda fëmijërinë e saj në komunizëm, i konsideruar gjerësisht si një nga diktaturat më të ashpra midis vendeve të ish-bllokut komunist.
Ndërsa ndjeu dashuri dhe kujdes në shtëpi, ajo pa edhe familjen e saj të luftonte nën regjimin, i cili kontrollonte qytetarët e tij përmes taktikave të frikës.
“Frika ishte si ngjitësi që e mbante shoqërinë të bashkuar. Kur ishim shumë të vegjël, prindërit na thoshin vazhdimisht të mos pëshpërisnim asgjë… të mos i besojmë askujt dhe të ulnim kokën”, rrëfeu Linda Rama.
Nga fundi i viteve 1980, Shqipëria kishte arritur një gjendje varfërie ekstreme për shkak të represionit të rëndë, izolimit të ngurtë nga bota e jashtme dhe një ekonomie shumë të centralizuar e cila përfundimisht dështoi.
Por pas rënies së regjimit në vitin 1992 dhe tranzicionit të tij në një sistem demokratik, znj.Rama kuptoi se kriza themelore për popullin e saj nuk ishte të dilte nga varfëria.
“Unë mendoj se ishte trauma sepse nëse rrethanat ndryshojnë, mund të përballesh me varfërinë dhe të shfrytëzosh mundësitë për t’u rikuperuar. Por edhe pse mund të kesh një ekonomi të mirë është shumë e vështirë të shpëtosh nga trauma”, thekson ajo.
Përvoja e frymëzoi atë për të ndjekur një diplomë master në ekonomi në Pragë, duke fituar më vonë një doktoraturë në shkencat ekonomike.
“Ne nuk dinim asgjë për atë që do të ndodhte, askush nuk e dinte. Kam kuptuar me kalimin e viteve se mësimet më të mëdha kanë ardhur nga gabimet tona… dhe me kosto ekstreme për të gjithë popullatën”, shton ajo.
Në vitin 1998, pasi kaloi vite duke kontribuar në reformat e qeverisë për transformimin e pasurive të paluajtshme dhe duke udhëhequr Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, ajo bashkëthemeloi Qendrën e Promovimit të Zhvillimit Njerëzor, një institut kërkimi që ofron njohuri kritike kërkimore mbi zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë.
Në dekadat e transformimit që nga fundi i komunizmit, vetë Linda Rama ka shkruar më shumë se 50 botime me fokus zhvillimet ekonomike, sociale dhe civile që e kanë nxjerrë vendin nga thellësia e errësirës në dritën e ditës.
“Para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, vendi ishte 90 për qind analfabet dhe tani vendi është përpara të gjitha vendeve në rajon”, shton ajo.
Për më tepër, Shqipëria si vend anëtar i NATO-s që nga viti 2009, filloi zyrtarisht procesin e aplikimit për anëtarësim në BE në vitin 2014.
“Kështu që shqiptarët kanë arritur në këto tre dekada e gjysmë të kapërcejnë pjesën më të madhe të të gjitha traumave”, thekson ajo.
Për këtë, Linda Rama pohoi mbështetjen që vendi ka marrë nga vendet demokratike, përfshirë Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës së vështirë të tranzicionit.
“Mesazhi iu dha të gjithëve se ne nuk ishim vetëm dhe nuk mund ta imagjinoni se çfarë do të thotë për dikë në vështirësi, për një vend në vështirësi… të shndërrohesh nga komunizmi ekstrem në një vend demokratik është një rrugëtim i gjatë dhe nuk mund ta bësh i vetëm”, thekson bashkëshortja e Kryeministrit Rama.
“ Shqiptarët dhe Shqipëria ia kanë dalë sot të ulen në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë. Vizitoni Shqipërinë. Nëse vini një herë, e dimë që do të na vizitoni përsëri”, tha Linda Rama.
Një mbështetëse e fortë e parimeve të një shoqërie të hapur dhe një avokate e përkushtuar për të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e grave dhe fëmijëve, Linda Rama bashkëthemeloi Aleancën e Fëmijëve Shqiptarë, një lëvizje e shoqërisë civile shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Linda Rama nuk i shmanget prioriteteve të këtyre çështjeve si bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama i cili ka qenë edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës për tre mandate.
Pavarësisht konflikteve të vazhdueshme në vende si Ukraina dhe Lindja e Mesme, Linda Rama mbetet me shpresë për të ardhmen si një e mbijetuar e traumave politike.
“Me të gjitha sfidat me të cilat përballemi, mendoj se jemi me fat sepse dimë shumë, jemi të gjithë bashkë, ndajmë vlerat, rezistojmë dhe i bëjmë fëmijët tanë të aftë të përballojnë çdo sfidë që na del përpara”, përfundoi Linda Rama ajo
Fraksion.com