AktualitetOp-EdTë fundit

E shtrenjta Nënë!

Nga Gen Nanaj

Kur mbyll sytë dhe përqendrohem në kujtimet e mia, më shfaqesh si një pikë drite në mes të errësirës, si ylli i vetëm që ndriçon netët e mia në jetë.

Ti je melodia origjinës që këndon në zemrën time, një këngë e ëmbël që më kujton se gjithmonë ekziston një strehë, një shtëpi e ngrohtë në krahët e tua.

Ti je si një pemë e shtëpisë, me rrënjë të thella që depërtojnë në thelbin e ekzistencës sime, dhe degët e tua janë si krahët e një engjëlli, që më mbrojnë nga furtunat e jetës.

Sa herë më ke qortuar, më ke mbrojtur e nuk të ka zënë gjumi për mua? Unë e di, që ti je burimi im i parë dhe i gjithkohshëm i dashurisë, një oaz në shkretëtirën e shqetësimeve të mia. Fjalët e tua kanë qënë si pika shiu në kohë thatësire, që më shpëlarin nga brengat dhe më japin forcë akoma të ec përpara.

Ti je dhe mbete hëna ime në mes të natës, që më ndriçon rrugën edhe kur gjithçka duket e errët. Je drita që nuk fiket kurrë, një flakë e përhershme që më ngroh kur ndjej ftohtë dhe jam i vetëm.

Nënë, ti je kujtimi më i sigurtë i fëmijërisë sime, pa atë thelën e mishit që na e ruaje, nuk do të isha sot një kockë e fortë në turbullina. Atë mbaj gjallë në zemër, ajo bukë e ajo dorë që më përkëdhelte, është litari ku lidh shpirtin me ty.

Ti je fuqia që më ngre kur rrëzohem, dhe zemra që mban frynën time gjallë kur ndihem i dobët.

Ti je historia ime më e shtrenjtë, një libër i shkruar me lot dhe buzëqeshje, me sakrifica dhe triumfe, me lavdi të thellë e të brëndshme për një fëmi.

Por, oj Nënë, kur nuk të kam pranë, malli për ty është si një erë e shtëpie që më fladit fshehurazi fytyrën, dhe aty kujtohem se ti je gjithmonë pranë.

Ti je pjesa më e mirë e imja, e të gjithëve ne, dhe s’ka asnjë fjalë që mund të përshkruaj thellësinë e dhimjes së largësisë, së dashurisë që ndiej për ty, Nënë!

Me dashuri të pafund,
Fëmia yt!

Epilog
Nëna është një thesar i pashpresë, një dhuratë e çmuar që na është dhënë nga jeta. Le të ruajmë dhe të duam nënat tona, sepse ato janë forca që na mbajnë në këmbë dhe drita që na udhëzon në errësirë. Le t’i përqafojmë ato sa herë që mundemi, sepse fjalët e tyre dhe përkëdheljet e tyre janë si ujë në shkretëtirën e jetës. Nëna është një yll që ndriçon rrugën tonë – le të mos e lëmë kurrë të fiket. Dashuria e tyre është e përjetshme, dhe ne duhet ta kthejmë atë dashuri me të njëjtën forcë dhe sinqeritet.

Gëzuari ditën e nënave, kudo që ata janë, e kushdo që ka Nanë!/marrë nga Fb e autorit

 

Fraksion.com