Berisha prezanton programin për “Fuqizmin e grave dhe vajzave”: Paketa e Dhembshurisë, i jep fund varfërisë
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me ekspertë të opozitës dhe me mbështetjen e Fondacionit të CDU gjermane “Konrad Adenauer”, shpalosi sot Programin e Qeverisjes 2025-2029 për “Fuqizimin e grave dhe vajzave”.
Në fjalën e tij kryedemokrati tha se “shoqëria shqiptare dhe shoqëria njerëzore është pafundësisht e detyruar ndaj vajzave dhe grave, ndaj nënave dhe motrave”.
Sipas Berishës “gruaja shqiptare ndodhet në vitet ndër më të vështirat e saj”. Berisha tha se “sot kemi nënën me rrogë të ulët ose pensione të ulëta”.
“Me të ardhurat e saj është faktuar se 41 për qind e familjeve nuk ushqejnë dot fëmijët në mënyrë të përshtatshme sepse janë në limitet e varfërisë. Pra, ka një situatë dramatike të nënave dhe grave shqiptare”, tha Berisha.
Berisha theksoi se “para një viti, qeveria franceze i akordoi qeverisë shqiptare 60 milionë euro të destinuara për ndihmën e grave”, por sipas kryedemokratit “u fut në buxhet për t’u vjedhur”.
“Ky fond u trupëzua i tëri në buxhet dhe humbi krejtësisht destinacionin e tij”, tha Berisha.
Kryedemokrati nënvizoi se “beteja e PD do të jetë kundër murit të patriarkisë”.
“E theksova këtë moment, sepse çështja e qëndrimit ndaj rolit të vajzave dhe grave nuk është vetëm çështje thelbësore e emancipimit shoqëror, por edhe çështje e potencialeve të jashtëzakonshme që gratë dhe vajzat mbartin në vetvete, të cilat duhet të shfrytëzohen në interesin më të mirë të tyre dhe të shoqërisë”, tha Berisha.
Berisha tha se sot si “komb, kulmet tona janë tek gratë dhe vajzat”
“Shikoni se ku e ngritën këngën dhe zërin çikat e Kosovës dhe Shqipërisë, Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Ava Max, Ermonela Jaho. Kurse në Olimpin e teknologjisë sot është Mira Murati. Por është edhe një tjetër, më eprorja, është Nënë Tereza, e cila me dhuntitë e vajzës shqiptare arriti të meritojë titullin më madhështor, “Nënë e të gjithë njerëzimit””, tha Berisha.
Berisha tha se programi i PD do të synojë së pari, të ndërhyjë me urgjencë në varfërinë ekstreme me të cilën përballen sot qindra e mijëra gra shqiptare.
“Paketa e dhembshurisë që e quajmë ne do t’i japë fund varfërisë ekstreme. Do bëjmë gjithçka që paga minimale, e cila në tërësi është më e zakonshme tek gratë se tek burrat, për shkak të disa sektorëve, të jetë reale dhe të mos guxojë të veprojë, siç u tha se i marrin disa dhe i kthejnë prapë”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “do bëjmë gjithçka që nënat me fëmijë të kenë pagesat për fëmijë”.
“Që nëna me fëmijën e tretë do t’ii paguhet nga lindja gjer në 23 vjet tërësisht nga shteti fëmija i tretë. Do bëjmë gjithçka për suksesin e biznesit të tyre me kredi, me grante, me diferencim në taksa dhe të gjitha këto janë jo vetëm interesi më i mirë i tyre, por suksesi i çdo nëne, i çdo motre, i çdo vajze, është sukses i të gjithë shqiptarëve”, tha Berisha.
“Dhe kam bindjen që në projektin Shqipëria Madhështore, gratë dhe vajzat, nënat dhe motrat, do luajnë rolin e tyre kryesor”, e përmbylli Berisha fjalën e tij.
Fraksion.com